Kulturë

Treqind rrëfime për masakrën në Krushë të Madhe si dëshmi krimesh të ‘99-s

Në ditën e 24-të të marsit 1999 forcat serbe do ta rrethonin Krushën e Madhe të Rahovecit. E një ditë më pas në emër të “ndjekjes së terroristëve shqiptarë” do të vriteshin, digjeshin e hidheshin në lumë mbi 240 civilë shqiptarë nga Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël. Tash, më shumë se 20 vjet më pas, ende nuk dihet gjë për trupat e pagjetur të mbi 40 personave. Rrëfimet për atë që ka ngjarë në këto vendbanime janë të shumta.

Por 250 deri në 300 prej tyre do të mblidhen e regjistrohen me video e audio. Këtë do ta bëjnë të mundur projekti i bibliotekës kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Departamenti i Antropologjisë i Fakultetit Filozofik. Brenda dy vjetëve punë, planifikohet që të arkivohen si audio e video dhe pos në shqip, të transkriptohen edhe në anglisht e serbisht.

Të hënën, kur edhe është nënshkruar Memorandumi i bashkëpunimit midis Ministrisë së Kulturës dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për projektin “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, është thënë se historia gojore do të shërbejë për të dokumentuar krimet e vitit 1999 në fshatin buzë lumit Drini i Bardhë.

Drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, ka thënë se projekti i mbledhjes dhe ruajtjes së rrëfimeve të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe është një pjesë thelbësore, e ndjeshme dhe e ngutshme e punës së tyre.

“Rrëfimet e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe, do të japin pamjen më të drejtpërdrejtë dhe më të pandërmjetme të dëshmitarëve që me sy panë mizoritë e forcave serbe ndaj banorëve të urtë e paqësorë të Krushës së Madhe”, ka thënë ai. Sipas Gajrakut, këto rrëfime do të ndihmojnë BKK-në të plotësojë një zbrazëtirë që ekziston në koleksione për të kaluarën e shqiptarëve të Kosovës.

“Pra, mbledhja dhe ruajtja e këtyre rrëfimeve shënjon për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës realizimin e një prej projekteve më sinjifikative të historisë gojore e që është mbledhja dhe ruajtja e dëshmive të luftës në Kosovë”, ka thënë ai.

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se zyrtarizmi i kësaj nisme e konfirmon mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për këtë çështje mjaft të ndjeshme.

‘’Le të shërbejë ky projekt si një hap përpara në përkushtimin për t’u dhënë zë kujtimeve të të mbijetuarve dhe trashëgimisë së atyre që ranë, si dhe të pagjeturve, në përpjekje drejt shërimit, gjetjes së përgjigjeve të shumëpritura dhe njohjes më të thellë të historisë e të identitetit tonë’’, ka thënë ai.

E ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka thënë se përmes këtij projekti do të dokumentohet një nga masakrat më mizore të kryera nga forcat serbe.

“Projekti, i cili sot po jetësohet, është tejet i rëndësishëm për projektet e këtij lloji. Ju bëj ftesë që një nismë e tillë të realizojnë edhe muzetë e arkivat. Të mbledhin dhe të grumbullojnë faktet”, ka thënë ajo. Sipas Dumoshit, nismat e tilla pasurojnë të dhënat për historinë e vendit.

“Dua pafundësisht të falënderoj secilin krushjan që për të ndihmuar në jetësimin e kësaj historie do të pranojë t’i bëjë ballë dhimbjes së rrëfimit të ngjarjes që ua ndryshoi jetën përgjithmonë”, ka thënë ajo. Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se ky projekt do të mundësojë që përmes rrëfimeve të dokumentohet masakra e kryer nga Serbia.

“Nga personat që i vrau Serbia, në mesin e tyre nuk dihet ku është as profesori Ukshin Hoti. Ky projekt ka nevojë të mbështetet nga të gjithë ne, unë si kryetar e mbështes këtë projekt”, ka thënë ai.

Sociologu Shemsi Krasniqi ka shpjeguar punën që pritet të bëhet. Ka thënë se do të mundësohet një pasqyrë e masakrës së fshatit Krushë e Madhe.

“Ky projekt synon që të pasurojë një arkiv të pasur të rrëfimeve të masakrës së fshatit Krushë e Madhe”, ka thënë ai. Sipas Krasniqit, është një rast i mirë që të bëhet një lloj institucionalizimi i historisë gojore.

Selami Hoti, kryetar i fshatit Krushë e Madhe, ka thënë se do të bashkëpunojnë që dëshmitë të ndriçohen. Ai ka treguar se realizimin e këtij projekti ia kishin kërkuar vitin e kaluar ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

“Kemi kërkuar që të jetë edhe në gjuhën serbe, që gjeneratat që vijnë në Serbi ta kuptojnë të vërtetën”, ka thënë ai para nënshkrimit të Memorandumit midis ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, dhe drejtorit të BKK-së, Fazli Gajraku. Sipas Hotit, për të bëmat në Kosovë e ish-Jugosllavi nuk janë përgjegjëse vetëm institucionet serbe, por edhe një pjesë e popullit serb.