Kulturë

Kur poeti këndon si artisti

Paul Celan, poet i famshëm gjermano-hebraik, u inspirua nga melodia gjuhësore e Aleksandër Moisiut, aktorit me origjinë shqiptare.

Paul Celan (23.11.1920 - 20.04.1970) është njëri prej poetëve më të rëndësishëm të letërsisë gjermane të shekullit të 20-të. Hebre nga periferia e Monarkisë së Habsburgut, i mbijetuar i Luftës së Dytë Botërore, një «vagabond» letrar që bridhte rrugëve dhe kafeneve të Parisit, fillimisht i refuzuar nga elita letrare gjermane, një pjesë e së cilës kishte bërë pakt me nazistët, Paul Celan mbetet poet enigmatik, me një gjuhë sfiduese poetike.

Paul Celan u lind para 100 vitesh. U lind në Czernowitz (rumanisht: Cernăuți). Atëbotë qyteti i takonte Rumanisë, pastaj Bashkimit Sovjetik, shkurt Gjermanisë, mandej prapë Bashkimit Sovjetik, sot është në Ukrainë. Qyteti nuk ka lëvizur, vetëm kanë ndryshuar shtetet sunduese. Në qytet fliteshin disa gjuhë, prindërit e Paul Celan qenë hebrenj, ata flisnin gjermanisht. Prindërit e tij u arrestuan më 28 qershor 1942 dhe u internuan mes lumenjve Dnjestër dhe Bug. Paul Celan atë natë u fsheh – dhe shpëtoi. Babai i tij vdiq nga tifoja, e ëma nga një plumb në zverk. Pas kësaj tragjedie Celan shkroi poezinë «Fuga e vdekjes», ndër poezitë më të njohura dhe më të përkthyera të letërsisë gjermane. Më 1947 u botua në rumanisht, më 1948 në gjermanisht.

Kjo poezi është një sfidë leximi dhe përkthimi. Përmbajtja e saj, siç shkruan kritiku letrar Volker Weidermann në numrin më të ri të revistës «Der Spiegel», pjesërisht do të mbetet enigmë. Poezia është një miks mes drejtpërdrejtshmërisë dhe përjetësisë, raportit dhe thirrjes së paraardhësve me testament të vjetër. «Është një përpjekje që shfarosja e hebrenjve të bëhet e kapshme me imazhe, tradita, fakte», shkruan Weidermann.

Për Paul Celanin dhe jetën e tij dihet mjaft, por jo gjithçka. Gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» në numrin e së hënës sjell disa detaje mbi ndikimin e aktorit me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiut, në melodinë gjuhësore të Paul Celanit. E ëma e Celanit ishte e mishëruar me kulturën e Vjenës, e sidomos me tonin e teatrit të njohur Burgtheater. Me këtë kulturë ajo e rriti të birin e saj. Atdheu shpirtëror i Celanit ishin poezitë e Rainer Maria Rilkes, Georg Trakl dhe Stefan George. Celan filloi të imitojë gjuhën e aktorëve të Vjenës, të cilët shkonin në turne deri në Czernowitz të Rumanisë.

Sipas «Süddeutsche Zeitung» Celan si i ri luante teatër, deklamonte poezi dhe skena nga dramat e Shakespeare (Shekspirit) - «dhe rëndësi të madhe për të kishe diksioni i aktorit të shquar në vitet 20-të dhe 30-të, Aleksandër Moisiut». Veçantia e Moisiut ishte toni i tij këngëtor, melodik. Për këtë kishte folur në vitet 90-të e dashura e fundit e Celanit, Ilana Shmueli. Tek para dy vitesh u zbuluan disa regjistrime të zërit të Celanit nga viti 1952, të cilat habitshëm dëshmojnë ndikimin e Moisiut.

Moisu konsiderohet si aktori më i madh i skenës gjermane në vitet 20-të dhe 30-të të shekullit të kaluar. Shkrimtari austriak Stefan Zweig, edhe ky me prejardhje hebraike, për aktorin Aleksandër Moisiu shkruante: «Me një pamje jashtëzakonisht tërheqëse, i zgjuar, i gjallë, por edhe njeri i dashur e mjaft entuziast, ai i jepte çdo vepre diçka nga ajo magjia e vet». Gjermanishtja e Moisiut, i lindur në Trieste, kishte ngjyrime italiane dhe mediterane. Kjo s’ishte befasi: babai i Moisiut ishte nga Durrësi, e ëma ishte italiane. Deklamimet që bënte Moisiu futën një ton krejtësisht të ri në skenën teatrore gjermane. «Është një artikulim që ndjen mallin e papërshkrueshëm, qetësisht dhe depërtueshëm, tejpërçues në aspektin muzikor, krejtësisht e kundërta e asaj që pas vitit 1945 është etabluar si qëndrim aktori», shkruan «Süddeutsche Zeitung». Në regjistrimet e zërit të Celanit ai deklamon ngjashëm si Moisiu.

Në kulmin e famës së Moisiut regjisori i madh nga Berlini, Ernst Lubitsch, babai i të cilit rridhte nga një familje hebraike në Bjellorusinë e sotme, iu drejtua aktorit me këto fjalë: «Zoti Moisi, më lejoni t’ju përqafoj, në mënyrë që njerëzit ta dinë se edhe unë jam dikush». Rüdiger Schaper, publicist nga Berlini, i cili ka shkruar një biografi të Aleksandër Moisiut, e quan aktorin «një erotoman të njohur gjithandej»: «Gratë e kanë adhuruar, e kanë ndjekur, i kanë bërë oferta dhe kanë vrapuar pas tij me vite të tëra. Ai kishte lidhje dashurie, afera, gra dhe skandale». Ai ishte Hamleti, Romeo i Shakespearit dhe Osvaldi i Ibsenit. Kritikët e teatrit të asaj kohe shkruanin: «Askush s’di të vdesë më mirë se Moisiu».

Celan, Moisiu, Lubitsch, Zweig – të gjithë këta kishin diçka të përbashkët: origjinën hebraike. Por ishin të gjermanizuar (Moisiu edhe i italienizuar) dhe ia ofruan talentin e tyre kulturës gjermane. Moisiu bëri edhe më shumë: në Luftën e Parë Botërore u lajmërua vullnetar për të luftuar në radhët e ushtrisë gjermane. Por më vonë nazistët e goditën dhe përbuzën si «komunist hebraik». Nuk bëri punë që Moisiu ishte i pagëzuar si katolik. Njëherë hebre, përherë hebre. Para ardhjes në pushtet të Adolf Hitlerit në Salzburg të Austrisë u zhvillua një fushatë e tmerrshme kundër Moisiut. Më 1932 atij nuk iu lejua të luajë më në teatrin e Salzburgut.

Alfred Kerr, njëri prej kritikëve më të mëdhenj letrar gjerman (edhe ky me prejardhje hebraike), kështu e ka përshkruar Moisiun: «Ai është hir! Ai është kumbim! Ai është magji! (...) In summa: një mysafir nga kaltërsia – por prapëseprapë di të bëjë dallimin. Një kafshatë për William Shakespearin. Më shumë s’them dot». Në fund një fusnotë: Stefan Zweigu e ka takuar Moisiun në Zürich («Pasi zbriti nga vagoni, u sul drejt meje, u përqafuam italiançe...». Alfred Kerr emigroi më 1933 përmes Luganos në Zürich. Dy vite më vonë në Vjenë vdiq Aleksandër Moisiu. Urna e tij u varros në Morcote në Zvicrën italiane. Më 1935 Paul Celan ishte 15-vjeçar dhe ndoshta nuk e ka marrë me mend se çfarë kthesash do të merrte jeta e tij në vitet e ardhshme, kur një piktor i dështuar nga Austria u bë lider i gjermanëve me planin për të pushtuar botën dhe shfarosur hebrenjtë.

Image