Kulturë

Festivali Evropian i Filmit rikthehet online si mozaik i diversitetit

Festivali Evropian i Filmit rikthehet online si mozaik i diversitetit
Festivali Evropian i Filmit, i mbajtur në Prishtinë në janar, është rikthyer prej së enjtes edhe në format online. Nga tridhjetë filma sa ka në repertor, pesë janë të qasshëm edhe për publikun në Kosovë. “King of Belgians” (në foto) e ka hapur ngjarjen që zgjat deri më 30 nëntor

Mbreti belg, i dashur për të gjithë, gjendet papritur në Stamboll. Atij i duhet të marrë një rrugë të gjatë për t’u kthyer në vendin e tij. Kalimi nga një shtet në tjetrin, tregon laramaninë e kulturave në Evropë, por edhe është një thyerje kufijsh midis shteteve. I gjithë udhëtimi i tij vjen si një dokumentar komedie e që shpaloset në filmin “King of Belgians” shoqëruar me anekdota. Ky dokumentar tashmë është bërë i qasshëm online për kosovarët bashkë me pesë filma të tjerë: “And then we danced” (2019), nën regji të Levan Akin, “The Line” (2017), nën regji të Peter Bebjak, “Let the girls Play” (2018), nën regji Julien Hallard dhe filmi i animuar “Jacob, Mimi and the talking dogs” (2019), nën regji të Edmunds Jansons. “King...” të enjten ka hapur edicionin e sivjetmë që vjen si ofertë lehtësuese gjatë pandemisë, në version online, e që zgjat deri më 30 nëntor. Festivali Evropian e Filmit në Prishtinë qe mbajtur edhe në format të zakonshëm, prej 13 deri më 17 janar në “Kino Armata”. Edhe asokohe, “King...” kishte qenë në repertorin e kësaj ngjarjeje, e cila në vende të ndryshme ka traditë deri në çerekshekulli.

Është nismë e financuar nga Bashkimi Evropian, përkatësisht nga projekti “Evropa Kreative” dhe mbështetur nga “Goethe Institut”, “Institut Français” dhe “Cineuropa”.