Kulturë

“Another Noise” me flautisten për 11 veta në “ambient të humbur”

“Another Noise” me flautisten për 11 veta në “ambient të humbur”
Flautistja Nina Shala të enjten në galerinë “Paper” në Prishtinë ka interpretuar 11 herë për po aq veta veprën “Another Noise” të Memli Kelmendit, i cili nga një dhomë tjetër nëpërmjet tingujve elektronikë ka realizuar një komunikim më ndryshe muzikor me flautisten, që i ka ndarë veç një mur (Foto: Arben Llapashtica)

Një vepër për ambientin e humbur, që i përshtatet fort realitetit të sotëm të mjegulluar nga pandemia, është shpjegimi i parë që ia bën veprës së vet, “Another Noise”, kompozitori Memli Kelmendi. Flautistja Nina Shala e ka interpretuar atë veçmas për 11 veta. E janë po aq përvoja dhe më shumë, prej secilit që ka pasur rastin të qëndrojë i vetëm përballë flautistes, në një përvojë unike që vazhdon ta sjellë “Edicioni tektonik” i festivalit “DAM” me “Afër II”

Brenda katër mureve, dy ulëse janë të vendosura përballë. Mes tyre ka distancë të mjaftueshme. Në shikim të parë duket larg një hapësire ku mund të zhvillohet një koncert, por ata që ia kanë mësyrë galerisë “Paper” në kryeqytet të enjten pasdite, e kanë bërë pikërisht për këtë arsye. Aty është realizuar një komunikim pothuajse i pazakontë muzikor, ku ndërmjet instrumentistit dhe dëgjuesit në mes qëndrojnë vetëm tingujt.

Për flautisten Nina Shala, dhoma e parë në hyrje të galerisë ka qenë skena e saj për rreth tri orë, ku ka performuar veprën “Another Noise”. Këtë e ka bërë plot njëmbëdhjetë herë për njëmbëdhjetë persona të ndryshëm. Me secilin prej tyre ka ndarë një eksperiencë ndryshe. Shtatë minuta ka zgjatur performanca e saj për secilin dëgjues, e kjo ka tingëlluar si një lundrim muzikor ku tingujt herë arrijnë me një intensitet më të vrullshëm tek publiku e herë duket sikur zbuten qetësisht.