Kulturë

Animatorja e transformimit të realitetit në botë të pafundme

Animatorja e transformimit të realitetit në botë të pafundme
Flaka Kokolli: “Filmi i animuar është një lloj i filmit ku edhe nëse bie shi nuk ndalen xhirimet. Edhe nëse dikujt i duhet që të fluturojë, atë nuk e ndal graviteti. Pastaj nëse në një moment dikujt i duhet që të shndërrohet në diçka tjetër, edhe kjo është e mundur”

Flaka Kokolli është animatorja e parë profesioniste në Kosovë. Edhe pse pati të tjera gra që realizuan animacione, ajo u bë e para që përfundoi studimet në këtë fushë. Fillimet i mori në punëtoritë e ndryshme të organizuara nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar, “Anibar”. Që nga themelimi, para 11 vjetëve, “Anibari” ka ngjizur tek të rinjtë interesimin për animacion, dhe u bë sebep që edhe te Kokolli ta ndizte dashurinë e fshehur për këtë zhanër.

Artistja 22-vjeçare, e cila ka kryer studimet për animacion në Budapest, që në vegjëli ishte mahnitur nga imagjinata e pakufishme e veprave të animuara. Atëherë, por edhe sot, synim e ka që të ngjallë emocione nëpërmjet animacionit. Në një intervistë për KOHËN ka thënë se mjafton të dihet se si të përdoret, ky zhanër dhe fuqia e këtij mediumi është e pafundme.