Kulturë

Qyteti i alfabetit pa shkolla shqipe

Sot, më 14 nëntor, janë mbushur 112 vjet që kur në Manastir nisi konferenca akademike me qëllimin e standardizimit të alfabetit shqip. Ajo u mbyll më 22 nëntor të vitit 1908. KOHA risjell reportazhin e bërë në këtë qytet në vitin 2017, me rastin e përvjetorit të Kongresit.


Shqiptarët e anës së Manastirit janë rrëfim më vete. Grushti që i ka goditur ata ka qenë më i fortë. Një qytet me shumicë shqiptare konfesionesh të ndryshme, ku merrte formë çdo iniciativë e organizuar me karakter kombëtar, më 1913 mbeti jashtë trungut shqiptar. 104 vjet pas, vetëm rreth 10 për qind e popullatës janë shqiptarë. Të diskriminuar në secilën fushë të jetës ata ende mbijetojnë

Do punoj për mëmëdhenë,

gjithë jetën sa të roj,

do t’i zgjoj edhe ata që flenë,

kështu jetën ta mbaroj.

Vargjet i ka shkruar një rilindës që 132 vjet më parë hapi në Manastir një shkollë private shqipe për djem e vajza. Është njëri nga intelektualët e shquar të kohës. I takon familjes që njihet simbol i ngritjes kombëtare. Ka jetuar në Manastir, aty ku para 109 vjetësh lindi alfabeti i shqipes e ku sot shqiptarët nuk kanë një shkollë.

Gjerasim Qiriazi i ka motra Sevasti Qiriazin, themeluese e “Shkollës së vashave” në Korçë, dhe Parashqevi Qiriazin, autore e abetares së pare shqipe me alfabetin e Manastirit dhe e himnit të tij. Ka vëlla Gjergj Qiriazin, anëtar i Komisionit të Njëmbëdhjetëve, trupit që vendosi për alfabetin e përbashkët të të gjithë shqiptarëve. Pasardhësit e Qiriazëve sot nuk e dinë shqipen.

Në fillimshekullin e kaluar në Manastir u hap edhe shtypshkronja, nga ku dilnin libra e revista në shqip. Klubi i Manastirit u caktua qendra për krijimin e Federatës së Klubeve Shqiptare. Qëllimi ishte përhapja e gjuhës dhe e arsimit shqip, pa u përzier me politikë. Por politika atëherë nuk e ka parë dhe as tash nuk e sheh gjuhën shqipe të ndarë nga vetja. Atëherë shtëpitë e shqiptarëve, shkollat e librat janë djegur nga osmanët, grekët, serbët... Në qindvjetëshin e fundit sulmi ka ardhur nga ideja e krijimit të një shteti maqedonas. I ngritur përmbi mohimin e shkollimit, asimilimin dhe përndjekjen e shqiptarëve që dikur ishin shumicë, sot ata zyrtarisht përbëjnë rreth 25 për qind të popullatës të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Të atyre që kanë përballuar aparaturën konstante shfarosëse, e cila ka goditur nga të gjitha anët, në të gjitha mënyrat dhe me të gjitha mjetet.

Maqedonishtja dhe flamujt e gjelbër nëpër minare

Shqiptarët e anës së Manastirit janë rrëfim më vete. Grushti që i ka goditur ata ka qenë më i fortë. Një qytet me shumicë shqiptare konfesionesh të ndryshme, ku merrte formë çdo iniciativë e organizuar me karakter kombëtar, më 1913 mbeti jashtë trungut shqiptar. 104 vjet pas, vetëm rreth 10 për qind e popullatës janë shqiptarë. Diku rreth 6000. Të diskriminuar në secilën fushë të jetës ata ende mbijetojnë.

Rruga që të shpie prej Ohrit andej kah Prespa e Manastiri nuk ka kurrfarë gjurmësh e shenjash që e lidhin këtë rajon me identitetin e vet të vërtetë. Tabelat me emërtimet e vendbanimeve janë në maqedonisht dhe anglisht, e xhamitë me flamuj të gjelbër nëpër minare. Derisa udhëton rrugëve të ngushta që gjarpërojnë nëpër natyrën e bujshme të asaj ane, të krijohet përshtypja që je duke shkuar në ndonjë katund dhe jo në qendrën e vilajetit të dikurshëm. Mosinvestimet në infrastrukturën rrugore që lidhin vendbanimet shqiptare i kanë mbajtur të izoluara me dekada. Kanë mbetur sa afër aq edhe larg shqiptarëve në Maqedoni dhe sa afër aq larg Shqipërisë. Kjo edhe me ndihmën e indiferencës së politikës shqiptare brenda Maqedonisë ndaj tyre dhe të vetë Shqipërisë, e cila ndër dekada shkel mbi Kushtetutën që e obligon të përkujdeset për njerëzit që shteti i 1912-s i ka lënë jashtë.

Pa përkujdesje u la edhe shtëpia ku lindi alfabeti që bashkoi shqiptarët, duke i unifikuar shkronjat e alfabeteve të shumta që përdoreshin në shekullin XIX dhe në vitet e para të shekullit XX. Simboli i bashkimit të atëhershëm shqiptar, i cili e shkëputi këtë popull nga Lindja dhe i dha orientim perëndimor duke përqafuar shkronjat latine, më shumë se një shekull rroi si një shtëpi e shkretë. Hapja e vonuar e Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në nëntor të vitit 2012, sipas drejtorit të tij Nuer Arsllani, ka ndodhur vetëm pas kërkesave të udhëheqësve shqiptarë në Maqedoni.

“Këtë ndërtesë e ka shfrytëzuar ujësjellësi i Manastirit, si dhe disa institucione të tjera komunale. Më vonë kanë ikur ato dhe e kanë shfrytëzuar partitë shqiptare në Manastir. Ka qenë objekt i lënë pas dore”, ka thënë ai.

I lënë pas dore vazhdon të mbetet kur bëhet fjalë për fondet dhe kujdesin.

“Muzeu është institucion nacional i Maqedonisë. Ne përgatisim projekte dhe aplikojmë në Ministrinë e Kulturës. Disa i fitojmë, disa jo. Kemi të drejtë të aplikojmë edhe për fonde të huaja, por është pak zor”, ka thënë Arsllani. Ai ka treguar që Muzeu i ka shtatë punëtorë, por ka nevojë për më shumë. “Ndodh që Ministria e Kulturës të aprovojë kërkesat tona, por jo edhe ajo e Financave”, ka shtuar ai. Sfidë në vete, sipas tij, është edhe gjetja e kuadrove profesionale.

Histeria e Tiranës dhe e Prishtinës

Muzeu nuk ka as sigurim fizik, edhe pse vazhdimisht është cak i sulmeve vandale. I fundit është ai i 7 marsit, kur katër persona tentuan t’ia vinin flakën. Është kjo data në të cilën shqiptarët e shënojnë Ditën e Mësuesit. U sulmua edhe më 22 nëntor të vitit të kaluar, në Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe, që është ditë feste për qytetarët shqiptarë në Maqedoni.

Drejtori i Muzeut, Nuer Arsllani, ka treguar që pas sulmeve shteti shqiptar ka reaguar duke i dënuar ato, e historiani Skender Asani, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni thotë se kjo është thuajse asgjë.

“Sa u përket reagimeve, ato vijnë pas ndodhjes së ngjarjeve. Pra, nuk kemi preventivë. Ne merremi me pasojat. Edhe shteti i Shqipërisë, edhe ai i Kosovës bëjnë reagime histerike, por nuk ka punë konkrete”, ka thënë Asani.

Se Shqipëria e Kosova mund të bëjnë më shumë e thotë edhe Arsllani. Mbështetje financiare nuk ka fare prej tyre, kurse përkrahja në ekspertizë është simbolike.

“Nuk kemi pasur deri tash përkrahje financiare. Ka pasur një grup pune. Kreu dhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Kulturës të Maqedonisë kanë qenë në vizitë zyrtare te homologët e tyre në Shqipëri. Kanë nënshkruar disa marrëveshje për bashkëpunim, dhe duhet theksuar pika katër në të cilën thuhet se Ministria e Kulturës e Shqipërisë duhet do të ndihmojë me anë të ekspertëve. Ata kanë përpunuar një projekt ideor, si mendojnë se është mirë të bëhet muzeu i gjuhës shqipe”, ka thënë Arsllani. Ka treguar se vizitat nga Shqipëria e posaçërisht nga Kosova janë të pakta, dhe ka shfrytëzuar rastin t’i ftojë në muze edhe udhëheqësit, edhe qytetarët shqiptarë kudo që ata janë.

Historiani nga Shkupi, Skender Asani, thotë që është jetike për shqiptarët t’i kthehen identitetit.

“Siç është Meka për myslimanët e Vatikani për katolikët, është Manastiri për shqiptarët. Aty duhet të bëhet një pelegrinazh i gjithë shqiptarëve të botës, dhe vetëm kështu mund ta respektojmë gjuhën e identitetin kombëtar”, ka thënë Asani.

Ndërtesa e Muzeut është restauruar pjesërisht dhe në shpejtësi kur është hapur. Në njërën pjesë të katit të parë të saj shkojnë njerëzit që kërkojnë material për dysheme, kuzhina apo banjë. Një raft me pllaka modelesh e ngjyrash të ndryshme i ekspozon ato para Muzeut, në dyqanin privat që ka hise në atë shtëpi. Në katin e dytë të shtëpisë, nëpër vitrina ekspozohen dokumentet dhe letrat më me rëndësi të historisë së gjuhës shqipe. Në po të njëjtin kat, në Dhomën Përkujtimore “jetojnë” njëmbëdhjetë anëtarët e Komisionit të Alfabetit. Në fund të vitit të kaluar pjesë e Muzeut u bënë figurat nga silikoni të 11 komisionerëve që vendosën për alfabetin e shqipes: Gjergj Qiriazi, Mit’hat Frashëri, Gjergj Fishta, Dhimitër Buda, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Nyzhet Vrioni, Bajo Topulli, Shahin Kolonja, Sotir Peci dhe Gligor Cilka.

Është kjo dhoma që të bën ta ndiesh gjuhën më shumë, ta ndiesh angazhimin dhe përkushtimin e rilindësve për të mos e lënë shqipen të shkapërderdhur dhe mungesën e këtij angazhimi e përkushtimi në ditët e sotme.

Për Shqipërinë, Manastiri nuk meriton një konsullatë

Kur del nga Muzeu dhe vazhdon kah qendra e qytetit arrin në “Shirok Sokak”, rruga e shtëpive të vjetra ku akomodohen konsullatat e shteteve të ndryshme botërore; rruga e sheshi i kishave dhe i xhamive, i sahatkullës otomane, së cilës i është vënë një kryq përmbi, dhe i përmendoreve për “heronjtë” maqedonas. Është një rrugë që mban këtë emër që kur shqiptarët kanë jetuar në të. Atë e ka marrë nga familja Shiroka, një familje e pasur që ka ekzistuar dikur. Objektet e pakta të shqiptarëve, që ndër kohë kanë mbetur në atë rrugë, janë djegur gjatë luftës së vitit 2001. Historiani nga Shkupi, Skender Asani, flet për shqiptarët e Manastirit si viktima të përhershme të të gjitha ngjarjeve që ndodhin në Maqedoni.

“Çkado që ndodh në Shkup, Tetovë apo diku tjetër, reflektohet negativisht si hakmarrje në qytetin e Manastirit. Madje edhe çkado që ndodhte në sport, reflektohej negativisht ndaj popullatës shqiptare të Manastirit”, ka thënë ai.

Rreth 80 shtëpi shqiptare janë djegur vetëm gjatë vitit 2001 në qytetin e konsullatave, ku Shqipëria e Kosova kanë zgjedhur të mos kenë përfaqësim.

“Nuk i falet shtetit shqiptar dhe Kosovës që deri më tani nuk kanë krijuar konsullatat e tyre në qytetin e Manastirit, kur shtetet e ndryshme të Evropës Juglindore që nuk kanë asnjë qytetar të tyre kanë ngritur konsullatat. Edhe pse ndërmjet dy luftërave botërore ka ekzistuar konsullata shqiptare, tani nuk është”, ka thënë Asani. Hapja e konsullatave, sipas tij, do të jepte një ndihmesë dhe reflektim për banorët e Manastirit. “Ne si Institut dhe si historianë e kemi ngritur në shumë mediume dhe u kemi sugjeruar Kosovës e Shqipërisë që t’i hapin konsullatat në Manastir, por deri tash nuk ka ndonjë iniciativë. Vitet po shkojnë dhe nuk kemi përgjigje konkrete”, ka thënë ai.

Në një përgjigje për “Kohën Ditore”, Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka bërë të ditur se Manastiri për Tiranën nuk përbën një vend që meriton konsullatë.

Image
Në fund të vitit të kaluar pjesë e Muzeut u bënë figurat nga silikoni të 11 komisionerëve që vendosën për alfabetin e shqipes: Gjergj Qiriazi, Mit’hat Frashëri, Gjergj Fishta, Dhimitër Buda, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Nyzhet Vrioni, Bajo Topulli, Shahin Kolonja, Sotir Peci dhe Gligor Cilka

 

“Konsullata ngrihen në ato vende ku ka një përqendrim të popullsisë shqiptare, apo të emigrantëve shqiptarë, qofshin këto me pasaporta të vendeve ku ato jetojnë, por me një shtrirje të madhe gjeografike”, thuhet në përgjigje. “Në rastin e Maqedonisë nuk është parë e nevojshme hapja e një konsullate”.

Shlyerja e gjurmëve

Nuk janë vetëm shqiptarët që kanë jetuar e që jetojnë në të dhe nuk është vetëm Shtëpia e Alfabetit ato që e bëjnë Manastirin qytet identiteti. Lokacioni arkeologjik që shtrihet dy kilometra nga qyteti, i quajtur Heraclea Lyncestis, sipas arkeologëve shqiptarë, përbën vendin ku ka jetuar fisi ilir i Lynkestëve, të cilit i takon nëna e Filipit të Dytë dhe gjyshja e Aleksandrit të Madh. Një vizitë nëpër rrënojat e konservuara të këtij qyteti antik, i njohur për mozaikun, banjën termale, amfiteatrin e objekte të tjera të para erës sonë, nuk mjafton për të kuptuar lidhjet e tij me ilirët. Gjurmët ilire nuk ekzistojnë në historinë e shkruar nga maqedonasit.

Historiani Skender Asani flet për humbjen e gjurmëve në periudha më të vona, kur shqiptarët në mënyrë sistematike janë përndjekur, diskriminuar e asimiluar.

“Manastiri në shekullin XIX ishte qendër e lëvizjeve kombëtare shqiptare dhe jorastësisht pas revolucionit xhonturk bëhet edhe qendër e klubit ‘Bashkimi’, i cili klub pastaj hap degët në të gjitha trevat shqiptare. Në këtë qytet thirret edhe Kongresi i Manastirit, që mbahet prej 14 deri më 22 nëntor të viti 1908, dhe dihen vendimet për unifikimin e alfabetit shqip. Po ashtu, në Manastir është mbajtur edhe Kongresi i Dytë i Manastirit më 1 e 2 prill në vitin 1910, ku u vendos që të përshpejtohej shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë”, ka thënë Asani. “Situata ndryshon pas betejës së Kumanovës. Me ardhjen e fuqishme të ushtrisë serbe, e cila instalohet edhe në Manastir, por edhe në trevat tjera shqiptare, fillon shkombëtarizimi dhe zbrazja e shqiptarëve nëpërmjet projekteve të ndryshme. Vendosja e ushtrisë serbe atje sjell edhe kolonë të ndryshëm për të ndryshuar përbërjen e popullsisë së Manastirit dhe për t’i shpërngulur shqiptarët drejt Turqisë”.

Image
Lokacioni arkeologjik që shtrihet dy kilometra nga qyteti, i quajtur Heraclea Lyncestis, sipas arkeologëve shqiptarë, përbën vendin ku ka jetuar fisi ilir i Lynkestëve, të cilit i takon nëna e Filipit të Dytë dhe gjyshja e Aleksandrit të Madh

 

Manastiri, sipas Asanit, nuk ishte krejtësisht i zbrazur nga shqiptarët mes dy luftërave botërore, por një periudhë më e rëndë do ta priste atë pas Luftës së Dytë Botërore.

“Manastiri u bë cak i institucioneve shtetërore të Maqedonisë që atë ta bëjnë qytet maqedonas dhe ta shlyejnë historinë e bujshme të kontiunitetit arbëroro-shqiptar. Më e theksuar është periudha e viteve ’80, kur ajo që ndodhte në Kosovë reflektonte në Maqedoni, posaçërisht në Manastir. Kjo politikë vazhdoi edhe pas ‘demokratizimit’ të Maqedonisë dhe krijimit të shtetit të Maqedonisë në vitin 1990”.

Historiani Asani thotë që politika institucionale maqedonase ka nxitur shpërngulje masive dhe ka bërë presion të hatashëm që shqiptarët të asimilohen, duke ua ndaluar shkollat e duke ua mohuar zhvillimin kulturor.

Image
“Shirok Sokak” është rruga që çon te sheshi i kishave dhe i xhamive, i sahatkullës otomane, së cilës i është vënë një kryq përmbi, dhe i përmendoreve për Maqedoninë dhe “heronjtë” maqedonas. Është një rrugë që mban këtë emër që kur shqiptarët kanë jetuar në të. Atë e ka marrë nga familja Shiroka, një familje e pasur që ka ekzistuar dikur. Objektet e pakta të shqiptarëve, që ndër kohë kanë mbetur në atë rrugë, janë djegur gjatë luftës së vitit 2001

 

S’ka shkolla

Sot Manastiri nuk ka një shkollë shqipe. Disa paralele shqiptare janë të hapura në kuadër të shkollës fillore maqedonase “Goce Delçev”. Shqiptarët e këtij qyteti ka kohë që përpiqen të kenë një shkollë fillore shqipe, që do ta mbante emrin “Bashkimi”. Por për ta realizuar këtë duhet të krijohen 16 klasa, dhe një gjë e tillë pamundësohet për shkak të shpërndarjes së nxënësve nëpër shkolla të tjera dhe orientimit të tyre kah fillorja në maqedonishte. Shkolla fillore “Goce Delçev” ka disa objekte në një oborr dhe në njërin prej tyre mësojnë shqiptarët. Aty ka tetë dhoma mësimi dhe në shqipe mësohet deri në klasën e nëntë. Gjimnaz në shqipe nuk ka fare. Trembëdhjetë vjet më parë një i tillë qe hapur, por ka funksionuar vetëm 14 ditë. Protestat masive të maqedonasve kundër shkollës, siç tregojnë banorët e këtij qyteti, kanë bërë që gjimnazi në shqip të mbyllej. Të mbyllura shqiptarët i kanë edhe mundësitë për t’u punësuar në institucione komunale. Nga më shumë se 200 punëtorët që ka Komuna e Manastirit vetëm një është shqiptar, dhe ai punon si inspektor, tregon një qytetar manastiras. Ndonëse nuk preferojnë të identifikohen nëpër media, shqiptarët e këtij qyteti me qejf flasin jo veç për sfidat, por edhe për shpresat e mbijetesës.

“Manastiri nuk ka nevojë për shumë parti politike shqiptare. Është e domosdoshme të bëhemi bashkë dhe të fitojmë dy ose tre këshilltarë komunalë”, thotë një qytetar. Shqiptarët nuk janë të përfaqësuar me asnjë këshilltar komunal, ngase votat edhe ashtu të pakta, humbin nëpër partitë e shumta politike. Atyre aktualisht nuk u shtrihet as dora e pushtetit lokal, por as e atij qendror, ku nuk mungojnë ministrat shqiptarë, përfshirë atë të Arsimit.

Besjona ndjek rilindësit

Identiteti i qytetit që solli në jetë alfabetin e gjuhës të cilën e flasin Tirana e Prishtina po ruhet nga shqiptarët që kanë mbetur në Manastir. “Gjyshi më ka thënë që këtu i kemi varrezat dhe amaneti që më ka lënë është të mos largohemi nga to. A e kuptoni çka do të thotë ‘varrezat’?”, ka thënë një manastiras, kur është pyetur se çka po e mban në këtë qytet. Të tillë që e kanë këtë motiv dhe e bartin nëpër breza, thotë ai se ka edhe shumë. Rilindja ka lënë gjurmë më të thella në Manastir.

Si e quan veten “shqiptar”

Kur qytetit të Alfabetit nuk i krenohesh!

Si e quan veten “kombëtar”

Kur me një gjuhë të huaj pajtohesh!

Si e quan veten “shqiptar”

Kur vetëm për festa me flamuj “kuq e zi” lëvdohesh!

Vargjet i ka shkruar një vajzë shqiptare që sot jeton në këtë qytet. Të hënën, në ditëlindjen e saj të pesëmbëdhjetë, botoi librin “Vargjet më kujtojnë”. Një përmbledhje poezish që tregojnë për frymëzimin që ka nga poetët rilindës, nga mburrja me qytetin të cilit i takon e nga dashuria për familjen e saj. Ka shkruar poezi për Kosovën, edhe pse ende nuk e ka vizituar atë. Besjona Jusufi është nxënëse e klasës së nëntë. Në vjershën e parë të librit të saj shkruan “Më ke mësuar shumë Naim Frashëri”. Naim Frashëri ka qenë poeti që ka frymëzuar edhe Gjerasim Qiriazin.

Besjona prej vitit tjetër mësimin është e detyruar ta vijojë në maqedonishte!

brikenda@koha.net