Pa u bërë dy javë prej miratimit, Qeveria ka ndryshuar Vendimin për tarifat për shfrytëzimin e veprave audiovizuale me të drejta autoriale. Konkretisht, ka shtyrë afatin e pagesave që do të bënin operatorët kabllorë ndaj atyre që bartin të drejtat e autorit për veprën e transmetuar. Këtë e ka bërë njëanshëm pas një takimi që kryeministri Avdullah Hoti kishte me përfaqësuesit e operatorëve kabllorë. Përderisa, sipas Qeverisë, kjo është bërë për shkak të pandemisë, VAPIK, shoqata për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në fushën audiovizuale, e ka kundërshtuar këtë qasje. Madje, sipas saj, në këtë rast është shkelur edhe Ligji për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtat e përafërta përderisa janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore dhe Qeveria nuk ka pasur të drejtë që njëanshëm ta ndryshojë vendimin.
Të premten Qeveria me propozim të ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, ka ndryshuar Vendimin që mori më 19 tetor sa u përket tarifave të përgjithshme mujore për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur me rastin e ritransmetimit. Në vendimin paraprak Qeveria kishte vendosur që Vendimi të hynte në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare. Publikimi bëhet rreth dy javë pas miratimit të një vendimi.
Por nga e premtja ekzekutivi ka vendosur që operatoret kabllorë të mos kenë kurrfarë detyrimi për pagesën e tarifave deri në ditën e parë të prillit të vitit që vjen.
Dumoshi kërkoi plotësimin dhe ndryshimin e vendimit. Vendimi i është plotësuar duke precizuar se tarifat janë mujore, si dhe ka kërkuar që zbatimi të shtyhet.
“Duke pasur parasysh gjendjen e krijuar nga pandemia, si dhe me qëllim që palët, përkatësisht operatorët kabllorë dhe shoqata VAPIK të kenë edhe një mundësi që të përcaktojnë tarifat e përgjithshme bashkërisht dhe të gjejnë një zgjidhje të kënaqshme, kërkohet plotësimi i Vendimit”, kishte thënë ministrja në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të premten. Gazeta ka marrë vesh se Dumoshi propozimin e ka bërë pasi ky veprim i është kërkuar direkt nga kryeministri. Kur u miratua vendimi i parë më 19 tetor, e cilësoi “vendim historik për një të ardhme më të mirë për autorët e krijuesit e vendit”.
“Zbatimi i vendimit, përkatësisht tarifave të përgjithshme mujore për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur me rastin e ritransmetimit fillon nga data 01.04.2021”, shkruhet në vendimin e ndryshuar të Qeverisë. Tarifat kanë mbetur në vlera të njëjta dhe bazohen sipas grupimit të kanaleve televizive: deri në 70 kanale televizive – 0.30 euro për abonues; nga 71 deri në 100 kanale televizive – 0.35 euro për abonues; nga 101 deri në 150 kanale televizive – 0.40 euro për abonues; dhe mbi 151 kanale televizive – 0.45 euro për abonues.
E kontaktuar nga gazeta, të hënën, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, nuk e ka qartësuar procesin e ndryshimit të vendimit. Pasi që ka thënë se kjo është bërë me vendim të kryeministrit, ajo i ka rekomanduar KOHËS që për këtë çështje të kontaktohet Valon Kashtanjeva, drejtor i Zyrës për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta.
Kashtanjeva ka thënë se Komisioni i ka bërë propozimet e veta qysh në dhjetor të vitit 2019. Ka sqaruar se janë shterur të gjitha mundësitë ligjore sa i përket përcaktimit të tarifave. Ka sqaruar se palët fillimisht kanë shkuar në negociata dhe nuk janë marrë vesh. Sipas tij, më pas ka pasur ndërmjetësim por edhe ky proces ka rezultuar i pasuksesshëm.
“Është themeluar komisioni dhe i ka dhënë propozimet. Qeveria i ka miratuar tarifat dhe më pas e ka ndryshuar vendimin. Këtë e ka vendosur Qeveria dhe është në mandat të saj, pasi është vendim i Qeverisë. Është jashtë kompetencave tona. Ne i kemi bërë propozimet”, ka thënë Kashtanjeva.
VAPIK ka qenë në negociata që nga viti 2013 me operatoret kabllorë për mbledhjen e të ardhurave për të drejtën e autorit të parapara me ligj. Pas gjashtë vjetësh, më 2019, me vendim të Qeverisë, MKRS-ja themeloi një komision ndërministror, i cili angazhoi një ekspert të huaj që në mënyrë të paanshme të sugjerojë tarifat me të cilat operatorët kabllorë u detyrohen artistëve vendorë dhe të huaj pasi që shfrytëzojnë veprat e tyre në ritransmetim.
Sipas shoqatës, vendimi i ri i Qeverisë është marrë pa konsultuar të gjitha palët.
“Ky vendim u mor pa pjesëmarrjen dhe pa u konsultuar me Shoqatën për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave të Autorit, si pala tjetër në këtë marrëveshje; dhe pa prezencën e Zyrës për të Drejtën e Autorit, si pala neutrale përfaqësuese e Qeverisë dhe propozuese e tarifës”, shkruhet në atë që VAPIK e ka titulluar “Reagim ndaj pishman-fermanit për të drejtën e autorit”. Sipas shoqatës, është në interes të operatorëve kabllorë që procesi të mos ketë asnjëherë sukses.
“Por në fakt secilën ditë që operatoret kabllorë në Kosovë operojnë pa një marrëveshje me Shoqatën për Menaxhimin Kolektiv, përveç që shkelin Ligjin për të drejtën e autorit, kabllorët shkelin edhe Ligjin për KPM dhe Rregulloren e KPM-së për licencim”, shkruhet në reagimin e VAPIK-ut. Rregullorja përcakton se “i licencuari nuk do të ritransmetojë asnjë program pa marrëveshje valide mbi të drejtën autoriale...”. Sipas shoqatës, vendimi i ri i Qeverisë godit në mënyrë direkte shtëpitë mediale, krijuesit e interpretuesit që bartin të drejtat e autorit.
“Në këtë kohë pandemie, kur krijuesit janë shtyrë në varfëri të skajshme, ndërsa operatorët kabllorë kanë shënuar rritje të abonuesve, sepse edhe ato familje që nuk kishin TV-kabllor në shtëpi para pandemisë u detyruan të abonoheshin me centët e fundit, për të përballuar mbylljen e madhe”, shkruhet në reagim. Shoqata përmes reagimit ka kërkuar që Qeveria e Kosovës ta zhvleftësojë vendimin e së premtes, të aprovojë tarifa të dinjitetshme, të paktën si ato në Maqedoni të Veriut, që janë 0.70 centë për abonues dhe që tarifat të paguhen retroaktivisht që nga viti 2013.
E nga Komisioni i Pavarur i Mediave është kërkuar që të respektohen Ligji për të drejtat e autorit e Rregullorja për licencim.
“Që të revokojë licencën për operatoret kabllorë që nuk kanë dokumentacion të plotë, gjegjësisht që nuk prezantojnë Marrëveshjen për të Drejtën e Autorit”, shkruhet në reagimin e nënshkruar nga Blerim Gjoci, kryetar i Bordit të VAPIK-ut.
Gjoci para dy javësh kishte sqaruar se Tarifa është mujore për secilin abonues.
“Domethënë operatoret kabllovikë, varësisht sa kanale i ofrojnë për resiver, aq paguajnë. Nëse një familje e ka resiverin dhe i ka 110 kanale, operatori kabllor paguan 40 centë mujore për autorët në çdo resiver”, kishte thënë Gjoci. Por llogaritja nuk do të jetë aq e thjeshtë.
“Televizionet në fakt përfitojnë, sepse futen në kategorinë e producentëve, domethënë përfitojnë për programet/emisionet origjinale, ndërsa kabllorët paguajnë tarifën për ritransmetim të emisioneve, filmave, spoteve. Ato të ardhura ndahen sipas: kohës së transmetimit, llojit të veprës, gjatësisë së veprës, pozitës në këtë vepër etj. Është sistem notimi i harmonizuar me rregullat e shpërndarjes në BE”, kishte thënë ai.