Përkundër historisë së lashtë të Jerusalemit para erës sonë, e sidomos për hebrenjtë, me paraqitjen e Krishtit dhe përhapjen e krishterimit, Jerusalemi u bë qendër shpirtërore e të krishterëve në botë, e sidomos pas Ediktit të Milanos më 313 i cili ia hapi rrugën të bëhej më vonë fe zyrtare e Perandorisë Romake.
Ndërkohë, me ardhjen e perandoreshës Helena, nëna e Konstantinit, në Jerusalem gjatë 326-328 për të gjurmuar reliktet e Krishtit e ndërtuar monumentet më të çmueshme për të krishterët, si Kisha e Varrit të Shenjtë më 337, Jerusalemi u shndërrua së shpejti nga një fshat në qendër shpirtërore të botës së krishterë. Megjithatë, për shkak të rrethanave të kohës, themelimi i Patrikanës së Jerusalemit u vonua deri në vitin 451, kur u bë e katërta pas asaj të Kostandinopojës, të Aleksandrisë dhe të Antiohisë.
Qendër magjepsëse për pelegrinë nga Evropa
Me kohë, Jerusalemi u bë qendër magjepsëse për pelegrinët nga Evropa, e sidomos pas përhapjes së krishterimit në Ballkan e në Evropën Lindore, me çka Patrikana gëzoi shumë ndihma nga shtetet e reja të krishtere, shkruan KOHA.
Ndërkohë, pas luftës bizantino-persiane mbi Levantin e Jerusalemin në shekullin VII, Jerusalemi ra nën sundimin persian gjatë 614-629, kurse më 636 ra nën sundimin e arabëve dhe u bë për shumë shekuj në kuadër të Perandorisë Islame që u shtri deri në Spanjë. Edhe myslimanët, që e konsiderojnë Jerusalemin qytet të shenjtë pasi që ishte kibla e parë e tyre, filluan të shkonin në Jerusalem për vizitë në rrugën e tyre për në haxhillëk në Mekë, kurse disa kënaqeshin vetëm me vizitën në Jerusalemin. Po ashtu, hebrenjtë e përhapur nëpër botë vinin për vizitë në Jerusalemin i cili është një prej katër qyteteve të shenjta për ta (me Hebronin, Safedin dhe Tiberijen), e disa mbeteshin atje deri në vdekje.
Këto relacione të shteteve dhe të popujve me Jerusalem u ndryshuan në mesjetë me kryqëzatën që themeloi Patriakanën latine të Jerusalemit, si dhe me paraqitjen e Sulltanatit të Mamlukëve (1260-1516), e shteteve të reja në Ballkan (Bullgaria, Serbia e të tjera), ku e vendosin osmanlinjtë kryeqytetin e parë (Ederne) të perandorisë së tyre, me çka u pasuruan lidhjet me Jerusalemit me popujt e shtetet e Ballkanit e më gjerë deri në Armeni e Rusi.
Dhuratat e majme nga shtetet e Ballkanit
Për këto lidhje të llojllojshme të Jerusalemit me të krishterët e myslimanët e Ballkanit tani doli një libër i ri në Amman, me titull “Kontribute ballkanike për Jerusalemin gjatë sundimit osman” të autorëve nga Kosova, Bosnja e Hercegovina, Kroacia e Serbia. Libri përmbledh studime të botuara më parë në revistat shkencore që u përkthyen tani në arabisht. Këto studime veçohen me origjinalitet pasi që u mbështetën në burime të dorës së parë (regjistrat e vendimeve të sulltanëve osmanë, regjistrat e gjykatave të sheriatit ku regjistrohen vakufët që kanë të bëjnë me kontributin e myslimanëve dhe të krishterëve të Ballkanit për të mirën e monumenteve fetare në Jerusalem, udhëpërshkrimet e kohës, e të tjera).
Me rëndësi në këtë libër është një segment që ndriçon lidhjet e Patrikanës së Jerusalemit me të krishterët e Kosovës në shekullin XVIII. Për të kuptuar më mirë rrethanat rreth këtij segmenti vlen të përmendet se Patrikana e Jerusalemit gëzonte gjendje të mirë materiale në saje të ndihmave e dhuratave të majme nga shtetet e krishtera në Ballkan e më gjerë deri në shekullin XV. Mirëpo, me paraqitjen dhe shtrirjen e Perandorisë Osmane me kryeqytetin e parë në Evropë (Edirne 1371) dhe zgjerimin e saj në llogari të Bizantit, Bullgarisë e Serbisë deri në rënien e Kostandinopojës më 1453, Patrikana e Jerusalemit filloi t’i ndiejë pasojat e kësaj kthese pasi mbeti pa ato ndihma e dhurata të majme nga Ballkani.
Denoncimi i abuzimeve
Në këtë kontekst vlen të përmendet se Sulltan Selimi I (1512-1520) kishte ardhur në Jerusalem në shkurt 1517 në rrugë për Kajro, pasi e pushtoi Damaskun në shtator 1516 dhe e shpalli në Jerusalem dekretin për mbrojtjen e të drejtave të monumenteve të krishterëve, që u numëruan me emër në tërë Tokën e shenjtë e jo vetëm në Jerusalem në dekretin e përmendur. Mirëpo, me kohë, Patrikana e Jerusalemit filloi t’u ankohet sulltanëve që pasuan pas Selimit I prej sulmeve të beduinëve në pronat e manastireve si dhe prej gjendjes së rëndë materiale pasi iu ndërprenë ndihmat e dhuratat nga shtetet e Ballkanit në krye me Bizantin.
Për të kompensuar këtë mungesë e për të shpëtuar veten prej gjendjes së rëndë materiale, Patrikana e Jerusalemit arriti të nxjerrë pëlqimin e sulltanëve osmanë që Patriarku i Jerusalemit ta dërgojë në Ballkan një përfaqësues të vetin në krye të një delegacioni që të mbledhë ndihma nga popullsia e krishterë në Ballkan. Duke marrë parasysh ndjenjat e të krishterëve të Ballkanit ndaj Jerusalemit, me kalimin e kohës, u krijua një traditë me rastin e ardhjes vjetore të Përfaqësuesit të Patriarkut të Jerusalemit në këto vise: shumë individë linin testamente që pasuria e tyre, ose një pjesë e pasurisë, t’i dërgohet Patrikanës së Jerusalemit.
Mirëpo, në bazë të dokumenteve osmane, tani na dalin pengesa e abuzime të ndryshme në lidhje me ardhjen e Përfaqësuesit të Patriarkut të Jerusalemit në këto vise. Nga njëra anë, disa murgj vendas paraqiteshin si “përfaqësues” të Patriarkut të Jerusalemit dhe mblidhnin ndihmat para ardhjes së Përfaqësuesit të Patriarkut. Nga ana tjetër, Patrikana e Jerusalemit iu ankua Sulltanit disa herë prej pengesave të administratës osmane në këto vise, ku disa nëpunës tejkalonin normat dhe merrnin pa të drejtë një pjesë të këtyre ndihmave për Patrikanën e Jerusalemit.
Si pasojë e këtyre ankesave të Patriarkut të Jerusalemit, Sulltan Mustafa III (1757-1774) nxori një vendim (hukum) më 8 gusht 1767 drejtuar kadinjëve të Sarajevës, Novi Pazarit, Prishtinës, Prizrenit, Pejës e të tjerëve, në të cilin shtron ankesat e Patriarkut të Jerusalemit prej pengesave të administratës osmane dhe sjelljeve të paligjshme të disa murgjve vendas, që paraqiten si “përfaqësues” të Patriarkut për mbledhjen e ndihmave, duke theksuar se tani murgu Minkanos është Përfaqësues i Patriarkut dhe vetëm ai ka të drejtë të mbledhë ndihmat nga popullsia e krishterë në këto vise për Patrikanën e Jerusalemit, duke urdhëruar që ky vendim të zbatohet e të dënohet nga çdokush që nuk e respekton.
Ky vendim i Sulltanit, që reflekton lidhjen e Patrikanës së Jerusalemit më të krishterët e Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, u botua për herë të parë në këtë libër si shtojcë dhe pritet tani të botohet në tërësi në gjuhën shqipe, së bashku më të dhënat tjera që ndriçojnë këtë segment historik të lidhjes së popullsisë së Kosovës me Patrikanën e Jerusalemit deri në fund të shekullit XVIII.
Libri në fjalë nuk kufizohet vetëm në lidhjet e popullsisë së krishterë më Jerusalemin, por po ashtu ndriçon lidhjen e popullsisë myslimane me Jerusalemin me anë të haxhillëkut. Në krahasim me të krishterët që kishin Jerusalemin si destinacion kryesor, haxhilerët myslimanë shkonin në Jerusalemin e shenjtë në rrugë për në Mekë, ose duke u kthyer në vendet e tyre pas mbarimit të haxhillëkut në Mekë.