Kulturë

Përpjekja artistike për shpëtimin e minibibliotekave në kryeqytet

Përpjekja artistike për shpëtimin e minibibliotekave në kryeqytet

“Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj”, janë fjalët e shkrimtares Musine Kokalari, e cila nuk mundi t’i shpëtonte dënimit të sistemit të Enver Hoxhës. Tani fjalët e saj lehtësisht mund të lexohen nga kalimtarët që kalojnë përgjatë sheshit “Ibrahim Rugova”. E plotësojnë portretin e saj të pikturuar në minibibliotekën që ka marrë emrin e saj.

Imazhi i ri i minibibliotekës është përpjekja e fundit e organizatës “ETEA” për ta shpëtuar projektin e vet. Janë 12 minibiblioteka të vendosura në kryeqytet. Pas vandalizmit të vazhdueshëm të tyre, Komuna e Prishtinës e kishte njoftuar organizatën se do t’i largojë për shkak të pamjes së shëmtuar që po i japin qytetit. Por, duke i bërë ato më domethënëse, organizata që qëndron prapa projektit është optimiste që nuk do të bëhen më cak vandalësh. Për këtë lloj revitalizimi ka kërkuar ndihmë edhe nga festivali i moraleve, “Mural Fest”.