Kulturë

Vazhdimi i udhës së artefakteve nga kujtimet te krijimet artistike

Vazhdimi i udhës së artefakteve nga kujtimet te krijimet artistike

Artefaktet, kujtimet personale ose objektet e veçanta funksionale dhe kultura materiale në hapësirat shtëpiake mund të luajnë një rol të rëndësishëm në përkujtimin, dinamikën emocionale dhe proceset e formimit të identitetit për individët, familjet dhe komunitetet.

Njerëzit në një mënyrë apo tjetër janë të dhënë pas artefakteve, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në jetën tonë. Ato na kujtojnë njerëz, ngjarje apo edhe emocionet tona. Disa prej nesh zgjedhim mënyrën për t’i ruajtur, sepse në to fshihen vitet e fëmijërisë sonë, raportet familjare, ngjarjet tona më të rëndësishme e të tjera. Artefaktet bartin me vete kohën, rrëfimin dhe historinë jetësore. Të tilla janë edhe ekspozita dhe katalogu i profesorit, Shemsi Krasniqi, me krijime artistike, që burojnë nga artefaktet e muzeut të tij familjar të ruajtura për shumë vite. Artefaktet e ruajtura me shumë dashuri komunikojnë jo vetëm historinë familjare të autorit, por edhe mënyrën e jetesës në përgjithësi në të kaluarën. Pra, autori nuk i le në harresë, i sjell të kombinuara me tema të kohës dhe me mjaft estetikë.