Kulturë

Veprat e Ferrit – freskia optimiste e kohërave të vështira

Janë dhjetëra profile njerëzish, çift dhe tek, që theksojnë një dinamikë mes ngjyrave ku spikat e kuqja, e zeza dhe e kaltra e butë. Nuk është një bredhje e pacak, por një kundrim prej udhëtarësh të zhytur në të thella për tri kohë: të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen.

Me traditën e sublimuar anë e përtej, veprat e reja kondensojnë atë që më së shumti i mungon vitit të murtajës: optimizmit se ditë të mira do të vijnë. Të martën mbrëma, në Galerinë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, është hapur ekspozita personale me mbi dyzet vepra të akademik, Rexhep Ferrit. Edhe një herë bota shumëngjyrëshe e piktorit 83-vjeçar përçon shpirtin e tij kërkues përballë aktualiteteve sfiduese.

Ajo çfarë kritiku francez, JeanMarie Dunyer, e kishte shkruar 43 vjet më parë në “Le Monde” se vizatimet e tij krijojnë personazhe të shformuara e të zhveshura me “prani që të pushton”, kjo mori një pohim edhe kuptimplotë në ditëlindjen e 83-të të akademikut. “Ferri nuk flet kurrë për historinë derisa fytyra njerëzore i ka rezistuar prerjes së sëpatës, profilet e tij janë të tmerrshme, si çdo gjë nga një racë krenare”, kishte shkruar atëbotë Dunyer. “Jemi në një kohë të maskave dhe një shekulli që pret optimizëm. Është faji i njeriut dhe jo gjetkë”, ka thënë akademik Ferri për KOHËN. Në të vërtetë, ekspozita e mbrëmshme, e organizuar nga Seksioni i Arteve pranë ASHAK-ut, ka hapur siparin e të parit event të tillë në institucionin më të lartë akademik në vend prejse ka pllakosur pandemia. Me reputacionin e pranuar prej vitesh si një prej emrave që i është brendashkruar historisë së artit modern në Kosovë, punimet e paraqitura në ekspozitë kanë bartur shenjat e dukshme të një ndjeshmërie artistike përballë realiteteve në evoluim.