Kulturë

Shijet e veçanta të rakisë

Shëtitje nëpër shijet e ndryshme të rakisë është mundësia që të ofron punëtoria e familjes Hajdaraj nga Gjakova. Leka është trashëgimtari i një tradite të lashtë në këtë zeje. Vetë e ka mësuar nga prindërit e tij, ndërsa thotë se është traditë stërgjyshore. Madje shkon larg deri tek ilirët, për të gjetur në rrënjët etnike këtë traditë.

Ajo që ka rëndësi, këtë punë, pesëdhjetegjashtëvjeçari thotë se e bën me shumë pasion. E këtë energji ka arritur ta transmetojë edhe tek anëtarët e familjes. Kombinimi i traditës me mënyrat e reja të prodhimit të rakisë është mbase çelës suksesi për këtë biznes familjar, shkruan KOHA.

Liker pishe e herba e raki mjedre janë disa nga shijet që rrallë mund të gjenden diku tjetër.

Në rrëfimin për “Kohën Ditore”, Lekë Hajdaraj ndalet te kujtimet e batutat që e shoqëronin dikur procesin e pjekjes së rakisë.

Image

“Rakia të shtyn me përqafu edhe vëllanë”

E këtë rrëfim, Hajdaraj e nis me shpërfaqje të krenarisë.

“Tradita familjare e prodhimit të rakisë është e lashtë, stërgjyshore”, thotë Hajdaraj fjalëpakë, teksa shton se ai vetë këtë zanat e ka trashëguar nga prindërit dhe familjarët e tij. “Unë e kam pasur dhe e kam pasion prodhimin e rakisë, po ashtu edhe familja ime. Me prodhimin e rakisë merrem që nga fëmijëria e hershme”, thotë Hajdaraj.

Teksa krahason kohët, Hajdaraj ndalet kryesisht te mjetet e prodhimit.

“Më herët, mjetet e prodhimit ishin shumë primitive në krahasim me sot, sidomos tash kur mjetet janë shumë moderne dhe informimi është i bollshëm dhe kemi qasje në to”, thotë Hajdaraj.

Por përtej vështirësive, Hajdaraj kujton muhabetet që e shoqëronin procesin e pjekjes së rakisë. Natyrshëm do të përcillej me batuta.

“Ajo që e kujtoj që nga fëmijëria është kur piqej rakia mblidheshin shumë burra rreth kazanit të rakisë dhe e provonin rakinë dhe tregoheshin batuta të ndryshme”, thotë Hajdaraj, që i duhet të kujtojë disa prej tyre.

“Kush e ka rakinë dhe e shet, bën gabim, sepse raki gurit m’i qit, lule qet”, është njëra prej atyre thënieve që atij i ka mbetur në mbamendje.

“Rakia të shtyn edhe vëllanë me e përqaf”, është një batutë që po ashtu e tregon Hajdaraj.