“Vendi juaj nuk gjendet as në Google. Në skenën kryesore mund të luajnë vetëm vendet që kanë traditë…fünfhundert Jahre”. Këto janë fjalët e itendantit cinik gjerman në hijerëndin “Volksbühne” të Berlinit. Trupa me gjashtë aktorë nga Kosova mund të luajë vetëm në ndonjërën prej sallave anësore, madje duke pasur në dispozicion një kohë fare të kufizuar.
“Ju nuk keni dhënë asgjë për Evropën”, vijon ngultazi zëri i tij qesëndesës nga ekrani.
Kur aktori shqiptar me zë të dëshpëruar e përmend Nënën Terezë, “Volksbühne” jep katër minuta më shumë kohë për trupën nga Kosova. Kur merr vesh që një shqiptar ka zbuluar viagrën, trupa aventuriere fiton edhe pesë minuta shtesë në skenën berlineze.
Dikur Kara Ben Nemsi (që në arabisht nënkupton “Karli biri i gjermanëve) kuturiste në të pafundmin Orient, ku gjithçkaja ngjante si një masë e ngrirë në kohë e hapësirë.
Personazhi i fiksionalizuar i autorit gjerman Karl May (1842-1912) u bë kështu njohja gati e përmbysur e Ballkanit të shekullit 19-të, duke rrënjosur imazhe e stereotipa kudo në Perëndim.
Por shfaqja “Kthimi i Karl Majit”, e dhënë premierë mbrëmjen e së premtes në TKK, e ka kthyer “mbrapsht” udhëtarin gjerman.
Kështu, “shfaqja argëtuese për popullin gjerman”, siç është nëntitulli, është shndërruar në një kundërvënie ndaj orientalizmit qindvjeçar të Gjermanisë kundrejt gjithçkaje që ishte e largët për “Mitteleuropa”.
Përtej Lublanës idilike me shtëpi të bukura - e cila sipas fjalëve të njërit prej aktorëve, është “limiti i fundit gjeografik” – shfaqet Ballkani i çudive të përjetshme.
“Çdokush në Ballkan masturbon duke parë një femër të bukur, kurse një gjerman masturbon duke parë dikë nga Ballkani duke punuar në një skelë ndërtimi”, është monologu zëlart që nis të përvijëzojë klishetë e rrënjosura.
Pesë aktorë shqiptarë (të interpretuar nga Arta Muçaj, Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi dhe Shpetim Selmani) ndërmarrin një udhëtim së prapthi, drejt “tokave gjermane”.
“Këtu ju nuk do të dëgjoni asgjë përpos atyre që i keni dëgjuar më parë. Këtu nuk do të shihni pos atyre që i keni parë më parë. Do të shihni vetëm ato që keni para gjithmonë më parë”, deklamon me zë ironik aktori Ylber Bardhi teksa projektori gjithë ndriçim fokuson atë që ka hipur në murin në fund të sallës me me 296 ulëse. Mbante rreth qafës një jakë të palëzuar nga ato që përdoreshin në Evropën e fundshekullit 17-të.