Kulturë

“Monument IV” përshkrim real që alarmon për trashëgiminë kulturore të Kosovës

Gjendja reale e pesëdhjeteshtatë objekteve që i takojnë trashëgimisë kulturore të Kosovës janë përmbledhur në tridhjetepesë tekste të shkruara në gjuhën shqipe dhe atë angleze, në vëllimin e katërt të veprës monumentale,“Monument”.

Ky vëllim i detajuar nga autori Artan Krasniqi kompleton mozaikun e Kosovës së shekujve të mesëm.

“Botimet Koha” ka promovuar në Panairin e Librit për lexuesin vëllimin e katërt të monografisë “Monument”.

Sikur edhe në serinë e shkrimeve që ua kushtuan shekujve të kaluar, pjesën e dytë të kësaj historie të Kosovës, Krasniqi e nis në rajonin e Prizrenit, për të vazhduar nëpër atë të Ferizajt, e për të përfunduar në atë të Gjilanit.

Ky vëllim, që gjendet në stendën e Botimeve KOHA në Panairin e nëntëmbëdhjetë të Librit në Prishtinë, u dedikohet të gjithë atyre që nëpërmjet tij, do të zbulojnë shumë rrëfime që do të shërbejnë si vegëza për ta thurur panon që do ta ilustrojë jetën e paraardhësve tanë në kushtet e një pushtimi shumëshekullor.

Krasniqi ka thënë se në rrafshin personal seria e vëllimeve “Monument” e bën të lumtur dhe krenar, por ka thënë se një sukses i tillë mund të realizohet vetëm me përkushtimin e sinqertë dhe të pakursyer të një ekipi.

“Fillimisht falënderoj redaktorin Granit Kurti për debatet e gjata prej koncepteve të veçanta e deri te përzgjedhja e monumenteve; Ky libër nuk do të dukej kështu pa fotografitë mjeshtërore të Driton Paçaradës; Ekipin e lektorëve të cilët kujdesen që të mos përvidhet asnjë gabim gjuhësor; Mrika dhe Lura Limani dhe ekipin e përkthyesve që i japin kuptim dhe zë jashtë kufijve të Kosovës këtij vëllimi; Ilustrimet në stilin tashmë identifikues të Jeton Mikullovcit; Pa finesat e dizajnit të Luan Tashit; dhe në fund botuesen dhe redaktoren e botimit Flaka Surroi”, ka deklaruar Krasniqi për Express të KTV-së.