Kulturë

Ministria i rikthehet “Eminxhikut” të degraduar tash e tre vjet

Descriptive Text

Muzeu Etnologjik në Prishtinë do të hyjë në vitin e tretë prej kur ka nisur restaurimi e nuk ka përfunduar. Në fund të tetorit të vitit 2017, shtëpia e shekullit XIX, në kuadër të kompleksit “Eminxhiku”, ishte shndërruar në vendpunishte. Në fund të dhjetorit të atij viti ishte ndërprerë puna për të mos nisur më.

Ministria e Kulturës, qysh prej qershorit të këtij viti, është në kërkim të një kompanie që do ta vazhdojë punën për t’i dhënë formë shtëpisë që tash është veç “skelet”.

Prej ndërprerjes së punës – pasi u konstatua se nevojitej një projekt i ri meqë zhveshja e mureve kishte nxjerrë në pah gjendjen reale të ndërtesës – Ministria e Kulturës vazhdimisht ka pretenduar se punimet do të nisin së shpejti. Në vjeshtën e kaluar, zyrtarët ministrorë kishin thënë se në pranverë do të nisë puna. Por, kjo nuk ka ndodhur. Puna pritet të nisë prapë në vjeshtë, sikurse para tre vjetësh. Sipas dosjes së tenderit, kanë aplikuar gjithsej nëntë kompani. Çmimi më i lartë ishte 89 mijë euro, kurse më i ulëti ai me 33 mijë euro. MKRS-ja është përcaktuar që punimet t’i kryejë “Albi Company” me seli në Rahovec, për 52 mijë e 308 euro. Oferta më e lirë ishte ajo e kompanisë “Tosi N” nga Peja, me 33 mijë euro. Por, Ministria e Kulturës ofertën e kësaj kompanie e ka shpallur të papërgjegjshme për shkak të një vargu kriteresh, e midis tjerash edhe për çmimin e ofruar për kryerjen e punës.

“Oferta juaj në përputhje me nenin 61.4 është konsideruar si ofertë abnormalisht e ulët”, shkruhet në përgjigjen që MKRS-ja ia ka kthyer kësaj kompanie. Sipas dosjes së tenderit, e njëjta kompani është ankuar në ditën e 11-të të këtij muaji, por MKRS-ja ankesën e ka vlerësuar si të pabazuar në ditën e 23-të të këtij muaji.

Sipas udhëheqësit të Zyrës së Prokurimit në MKRS, Burim Reçica, pas shqyrtimit të ankesës do të nënshkruhet kontrata me kompaninë e përzgjedhur për kryerjen e punimeve... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)