Më 2009 aktorja tinejxhere Carey Mulligan rrinte në dhomën e një lagjeje, dëgjonte muzikë dhe imagjinonte arratisjen. Filmi ishte “An Education”. Personazhja e saj gjakonte për liri dhe një jetë me kulturë të arrirë e dashuri romantike. Zëri që cërcërinte në dhomë i takonte artistes që jetoi jetën që ajo e ëndërronte: frymëzonte filozofë, pinte me pijanecë dhe binte thellë, e vazhdimisht, në dashuri me kolegët e saj yje. Zëri i përkiste Juliette Grécos, këngëtares epsharake që trupëzonte shpirtin dhe stilin e Parisit të pasluftës dhe që më vonë trashëgoi pelerinën e hijshme të Édith Piafit, si zonjë hijerëndë e këngës franceze.
Gréco u lind më 7 shkurt 1927 në Montpellier, në brigjet mesdhetare të Francës. I ati i saj, një komisar policie nga Korsika, u largua kur Juliette ishte ende e vogël. Ajo dhe motra e saj Charlotte, u rritën nga gjyshërit dhe murgeshat në një kishë lokale, derisa nëna i çoi në Paris.
Ishte kohë lufte dhe Parisi ishte qytet i pushtuar. E ëma e Juliettes rrezikoi gjithçka duke punuar për Rezistencën. Më 1943, mynxyra pllakosi dhe Gestapoja i arrestoi të gjithë.
“Një oficer francez i Gestapos më poshtëroi”, kujtonte ajo. “U xhindosa aq shumë sa ia dhashë një turinjve. Eh, kjo më kushtoi!”.
Të ëmën dhe motrën i dërguan në kampin e përqendrimit të Ravensbrückut në Gjermaninë Veriore. Ishte një burg vetëm për gra, i hapur me urdhrat personale të Heinrich Himlerit. Shumë u sfilitën, mijëra vdiqën nga sëmundjet, uria, puna e tepërt dhe dëshpërimi.