Kulturë

Ilustrimet që e kthejnë pandeminë në edukim për fëmijët

Për fëmijët gjithandej botës, 2020-a ishte vit i çuditshëm, të cilin e ndienin nga të rriturit e shqetësuar e me maska. Megjithëse pandemia e COVID-19 bëri që të “ngrihej” gjithçka në botën që po izolohej shtet më shtet, imagjinata e ëndrrat e fëmijëve vazhduan të ishin po njësoj.

Duke adresuar ndikimet e pandemisë tek fëmijët e prindërit, “Autostrada Biennale” të mërkurën ka botuar vëllimin e dytë të serisë së librave audio-vizualë. “Autostrata Biennale” quhet edhe ngjarja e cila gjithnjë e më shumë po zgjerohet e fuqizohet si aktivitet i gjerë i artit bashkëkohor. Edicioni i tretë i saj do të mbahet më 2021 në Prizren, por edhe në Prishtinë.

Sipas njoftimit të shpërndarë për media, librat e titulluar “Hero në shtëpi” targetojnë fëmijë të moshave 6-9 vjeç dhe prindërit e tyre, duke i ndihmuar këta të fundit të zhvillojnë qasje edukative për informimin e fëmijëve rreth situatës aktuale.

Kështu, ekipi i projektit “Nuk ka dallime ndërmjet nesh” ka shestuar idenë e krijimit të librave audio-vizualë që do të adresonin pikërisht aspektin shëndetësor dhe social të koronavirusit ndër fëmijë e prindër.

“Përmes ilustrimeve, fëmijët së bashku me prindërit e tyre do të informohen si ta mbrojnë veten dhe të tjerët nga virusi, duke ndjekur këshillat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”, thuhet në kumtesën e “Autostradës Biennale”