Kuvendi i Troshanit ku u shkollua At Gjergj Fishta shpallet “Monument Kulture”

Kuvendi i Troshanit ku u shkollua At Gjergj Fishta shpallet “Monument Kulture”

07 June 2017 13:29

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Restaurimit, iu dha statusi “Monument Kulture” Kuvendit të Troshanit.

Kuvendi i Troshanit, i ndodhur në Troshan të Lezhës, ka nxjerrë françeskanë të shquar si At Gjergj Fishta, Ambroz Marlaskaj, Leon Kabashi, Shtjefën Gjeçovi, Pashko Bardhi e shumë të tjerë, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë dhe kulturën shqiptare.

Kuvendi i Troshanit është restauruar dhe sistemuar me shumë kujdes nga Provinca Françeskane Shqiptare. Ai zotëron ambiente të brendshme të bollshme dhe shumë të përshtatshme për krijimin e një muzeu përkujtimor në nder të të gjithë figurave të ndritura françeskane shqiptare, duke u bërë kështu edhe një mundësi e shkëlqyer për turizëm kulturor.

Në këtë Kuvend u shkollua dhe më vonë shërbeu At Gjergj Fishta.

Kuvendi i Troshanit ndodhet jo larg fshatit Fishtë, aty ku etërit françeskanë në vitin 1639 erdhën në shkrepat e këtij fshati të Zadrimës duke ngritur një Kishë dhe një shtëpi të të varfërve.

Më vonë, etërit françeskanë ishin ulur në vendin e tanishëm, ku me ndihmën e Austro-Hungarisë ndërtuan Kishën dhe Kuvendin në vitin 1857. Në vitin 1880, u dha leja e hapjes së kolegjit (shkollës) në ketë Kuvend që u inaugurua më 14 prill 1882, nga misionarët: At Mariano Pizzochini prej Palmanova, (Udine) dhe At Gian Pierro Ferrari, prej Bergamo.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme