Ish shtabi komunist shqiptar i shërbimit sekret tani është i hapur për vizitorët në Tiranë. Kështu nis shkrimin “Lonely Planet”, prestigjozja amerikane që boton guidat më të famshme në botë për turistët.
Shtëpia e gjetheve, shkruan Lonely Planet, dikur selia e Sigurimit (shërbimi sekret i Shqipërisë në epokën komuniste) është hapur për publikun si një muze i ri në qendër të Tiranës.
Një shenjë në hyrje të Shtëpisë së Gjetheve thotë: ‘Ky muze është i dedikuar për ata njerëz të pafajshëm të cilët janë spiunuar, arrestuar, ndjekur penalisht, dënuar dhe ekzekutuar gjatë regjimit komunist’.

Zyrtarisht sot, vijon shkrimin prestigjiozja amerikane, është quajtur Muzeu i Mbikqyrjes Sekrete. “Në një vilë dykatëshe me një oborr që daton nga viti 1931 dhe që ka 31 dhoma, ndërtesa shërbeu si baza e Gestapos gjatë okupimit nazist të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe deri në rënien e regjimit komunist në vitin 1991 ishte vendi nga i cili anëtarët e regjimit spiunonin qytetarët e tyre”, citohet artikulli.
Lonely Planet po ashtu paraqet për ndjekësit e saj një tjetër gjurmë të komunizmit në Shqipëri, që është Bunk’Art.

“Shtëpia e Gjetheve nuk është pamja e vetme në kryeqytetin shqiptar që është e përkushtuar për heqjen e perdes në aspektet tragjike të epokës komuniste. Bunk’Art është një muze i historisë dhe artit bashkëkohor i vendosur brenda një bunkeri masiv të Luftës së Ftohtë, i ndërtuar në vitet 1970 për elitën politike dhe ushtarake të Shqipërisë. Ai u hap për vizitorët në vitin 2014 dhe që atëherë është bërë një nga atraksionet kryesore të Tiranës”, thotë Lonely Planet.