Kulturë

Elbenita Kajtazi – zbulimi i vërtetë për publikun artdashës francez

Elbenita Kajtazi në rolin e Violettes është zbulimi i vërtetë për publikun artdashës francez. Regjistrat e saj vokalë që i kërkon roli bashkohen në një këngë përplot pastërti, bukuri e rini.

Me vlerësime si këto në superlativ, faqja franceze “Forum Opéra” ka përshkruar të fundit performancë të sopranos nga Kosova, Elbenita Kajtazi. Kjo zinë virtuale ka komentuar shfaqjen e veprës “La Traviata”, të dhënë të premten e kaluar në Grand Théâtre të Bordeauxit në Francë dhe e rishfaqur të hënën.

“Distancimi social, brenda pak javësh, ka bërë që Pierre Rambert të ndryshojë inskenimin e ‘La Traviatas’”, nis përshkrimin mediumi francez që i dedikohet botës së operës dhe bel cantos. Sipas tekstit – që autor ka kritikun Jean-Claude Meymerit – regjisori i shfaqjes me anë të ndryshimit të ngjyrave të perdes gjatë çdo akti ka dashur të rifokusohej në esencën e dramës. “Artistët e korit, që të gjithë të veshur me të zeza dhe të larguar nga njëri-tjetri, ishin të vendosur në hapësirën prapa skenës, në një mjegull, si për të ftuar publikun për t’u fokusuar vetëm te protagonistët”. Sipas kritikut francez, performanca e sopranos nga Kosova është zbulimi i vërtetë i ngjarjes. Roli i saj, sipas tij, është ajo i një gruaje të hajthme, por që është afshërisht e dashuruar. “Kjo dobësi fizike gjendet në secilin intonacion të saj. Timbri magjepsës, lartësitë goditëse, ajri i madh dhe notat e fundme përbëjnë një moment të rrallë”, thuhet në artikull. “Aktrimi dhe zëri i kësaj këngëtareje të madhe ngjallin emocione të mëdha. Ne zbuluam një Violetë të madhe”.