Kulturë

Festivali i Filmit në Tiranë ringjall jetën kulturore në kohë pandemie

Festivali i Filmit në Tiranë ringjall jetën kulturore në kohë pandemie
“Liqeni im” i Gjergj Xhuvanit, si homazh për regjisorin i cili ka vulë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare, ka ndezur ekranin e madh të edicionit të 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, që sivjet mbahet buzë Liqenit Artificial dhe në version online (Foto: TIFF)

Në nderim të regjisorit e skenaristit shqiptar Gjergj Xhuvani, edicioni i sivjetmë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë është hapur me filmin “Liqeni im”. Vepra e fundit e Xhuvanit si premierë rajonale ka kthyer në ekran mjeshtërinë e regjisorit të shquar, i cili vdiq në gusht të vitit të kaluar.

Te “Liqeni im”, Xhuvani kishte kthyer në shirit filmik një ngjarje ku Kristo, një djalë i ri, jeton në një fshat buzë Liqenit të Prespës, një vend i veçantë ku ndahen ujërat në kufijtë e tri vendeve të Ballkanit: Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Për të mbajtur familjen e tij, Kristo është bërë një kontrabandues i mariuanës, duke përdorur varkën e tij dhe njohjen e mirë të ujërave të Liqenit për të transportuar pako me drogë nga ana shqiptare në atë maqedonase. Filmi i Xhuvanit është një nga 18 filmat që sivjet do të shfaqen në kinema të hapur në kuadër të edicionit të 18-të të njërit prej festivaleve më me traditë në Shqipëri. Për shkak të pandemisë, filmat janë duke u transmetuar edhe online, përveç hapësirës së jashtme te Liqeni Artificial i kryeqytetit shqiptar. Në garë janë 122 filma.