Kulturë

I robëruari i artit

I robëruari i artit
Jakup Ferri: “Më kanë lodhur ekspozitat profesionale. Nganjëherë njeriu merr kurator vetëm nëse ka një interes nga ai. Njerëzit duhet të fokusohen në punë, jo në pallavra si ‘artist i njohur’ e gjëra të tjera…”

Veprat e Jakup Ferrit janë plot jetë. Brenda një punimi zhvillohen aktivitete të ndryshme. Dikush është në pishinë, tjetri shet akullore, një tjetër person luan me kafshë e dikush tjetër dëgjon muzikë, duke mos i interesuar fare se çfarë po ndodh. Kësisoj, Ferri ia del që edhe vizatimet bardhezi t’i bëjë të duken shumëngjyrëshe. Në shikim të parë disa vepra mund të duken si vizatime të thjeshta. Por nëse nuk ua ndan sytë për një kohë, vijnë e bëhen më komplekse. Aty gjen gjithçka. Mund të krahasohen edhe me jetën dinamike e zallamahinë e popujve ballkanikë ku në pak metra katrorë zhvillohen shumë aktivitete.

Vizatimet, tapiceritë, pikturat e gjithçka tjetër që është ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës rrumbullakojnë krijimtarinë e Ferrit. Qëllimshëm u ka ikur kuratorëve, kritikëve të artit, katalogëve konvencionalë e gjithçkaje promovuese. Madje edhe mediave. Është prej atyre artistëve që punon deri në gjashtë muaj në një vepër, por nuk flet as gjashtë sekonda për të. Për këtë jep arsye me bollëk.