Kulturë

Prej “tatimit për mjekër” deri te rrëmbimi i vajzave të krishtera

Më 13 prill 1910 konsulli austro-hungarez nga Mitrovica, Ladislaus Tahy von Tahar, raportonte për një kryengritje në rajonin e Llapit përreth Prishtinës. Në pazarin e Prishtinës ishte përhapur fjala se tani e tutje shqiptarët që sjellin pula e ve për t’i shitur duhet të paguajnë një tatim të ri. Dikush ia kishte ngjitur një pule një fletë në krah me njoftimin se ky “bidat” (risi) sapo kishte hyrë në fuqi.

Konsulli Ladislaus Tahy von Tahar supozonte se ai që e kishte përhapur këtë thashetheme në pazarin e Prishtinës, e dinte se shqiptarët do të protestonin kundër tatimit të ri. Pasi dëgjoi për tatimin e ri, një shitës shqiptar i hodhi përtokë vezët, u kthye në fshatin e tij, ku dha lajmin për tatimin e ri. Ndërkohë emisarët e nxitësit të trazirave për ta acaruar edhe më shumë popullin dhe nxitur fanatizmin, përhapën lajmin e rrejshëm se tani e tutje madje secili burrë duhet të paguajë tatim për mjekër, shkruan KOHA.

Shqiptarët, shkruan konsulli austriak nga Mitrovica, u tubuan, ua ndaluan organeve qeveritare të hyjnë në territorin e tyre dhe penguan vizitat në pazarin e Prishtinës. Komandanti i Prishtinës Liva Shefki Pasha negocioi me të zemëruarit, por kur ata e panë numrin e vogël të trupave osmane, shpallën kërkesa të tjera, si largimin e oficerëve që ndiqnin shkollën ushtarake, zëvendësimin e tyre me nënoficerë, heqjen dorë nga ndërtimi i karakollëve për xhandarmëri, pezullimin e vendimeve të reja dhe të kushtetutës dhe kthimin e gjendjes së mëparshme – “katër tatimet e vjetra dhe sheriatin”.

Më 4 dhe 5 prill 1910 shpërthyen trazira e përleshje, me ç’rast trupat osmane humbën një top, 48 pushkë dhe municion, 2 oficerë dhe 9 ushtarë ranë në duart e shqiptarëve. Trupat osmane humbën 17 veta, 22 u plagosën. Për humbjet e shqiptarëve nuk ka informacion, shkruan konsulli. Mes 6 dhe 10 prill luftimet pushuan, trupat osmane u përforcuan, numri i shqiptarëve u rrit në gati 10 mijë. Më datën 11 prill në mbrëmje shqiptarët deklaruan se heqin dorë nga luftimet dhe u tërhoqën në fshatrat e tyre. Ata i kthyen topin dhe pushkët që ua kishin marrë trupave osmane. I liruan edhe pengjet. Konsulli raportonte se në fshatin Barilevë po qëndronin të gatshëm 2000 shqiptarë për të rifilluar luftimet nëse qeveria ndërmerr masa të ashpra represive. Në raport thuhet se ishin arrestuar dhjetë prijës të shqiptarëve, por atyre u ishte premtuar se do të liroheshin nëse tregojnë se kush është nxitësi i protestave. Hetimet po zhvillohen me ngulm, por deri më tani nuk janë zbuluar gjurmët e nxitësit, i cili veproi në mënyrë aq të shkathtë, njoftonte konsulli. Ai supozonte se ka të ngjarë që pas trazirave qëndrojnë bejlerët reaksionarë, të cilët synonin kthimin e gjendjes së mëparshme, kur s’kishin asnjë kufizim dhe nuk pengoheshin nga qeveria.

Konsulli ankohej po ashtu se korrespondentët nga Shkupi e Selaniku po botonin në gazetat austriake dhe hungareze lajme të rreme për zhvillimet në Kosovë. “Neue Freie-Presse” fajësohej se botonte telegrame me fantazira. Kësisoj, kjo gazetë botoi lajmin se kryengritësit shqiptarë paskëshin ngritur flamurin austro-hungarez. Sipas konsullit, shqiptarët e interpretonin këtë si dëshirë të Austrisë për të aneksuar Shqipërinë – “një dëshirë që e bart era”. Më 24 mars 1910, gazeta “Politika” e Beogradit në stilin e saj të vjetër botoi një telegram nga Kurshumlia, sipas të cilit në kryengritjen e shqiptarëve ka gisht “konsulli austriak në Mitrovicë, gjë që së shpejti do të ndriçohet nga autoritetet turke”. Këto njoftime konsulli Ladislaus Tahy von Tahar i quante shpifje dhe njoftonte se qëllimi i tij ishte që të bashkëpunonte në mënyrë korrekte me palën osmane në Kosovë.

Kur nuk i donim gjermanët: një histori groteske nga viti 1908

Një material interesant që po e lexoj janë raportet e konsujve austro-hungarezë nga Kosova në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Më 8 korrik 1908 zyrtari austro-hungarez Adolf Ritter von Zambaur shkruante nga Mitrovica se “lëvizja e re e arnautëve” (shqiptarëve) në qarkun e Prishtinës ishte e drejtuar kundër vizitës (ekskursionit) të shkollës gjermane të Selanikut në trevën e Prishtinës.

Vizita ishte planifikuar për datën 5 korrik 1908. Zambaur raportonte se më 4 korrik trupa të shqiptarëve u tubuan afër vijës hekurudhore mes Ferizajt dhe Kaçanikut me qëllim që ta ndalin trenin special me pjesëmarrësit e ekskursionit. Kur u bë e ditur se treni nuk do të qarkullonte, shqiptarët e përmendur, të përkrahur nga njerëz të tjerë nga kazaja e Prishtinës, shkuan te vendi ku ishte planifikuar të vendoseshin mysafirët nga Selaniku, një mal që gjendej tri kilometra në veri të Ferizajt, dhe aty e lidhën rojtarin e hekurudhës dhe shkatërruan ulëset dhe tavolinat e bëra gati.

...

(Përktheu dhe përgatiti: Enver Robelli)

Politika dhe shoqëria në Vilajetin e Kosovës dhe në Kosovën e sunduar nga serbët. Raporte të konsujve austro-hungarezë nga Ballkani qendror (1870-1914), botoi Akademia Austriake e Shkencave, Vjenë 2020. Edituar nga Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz. (Tekstet janë botuar në origjinal në gjuhët që kanë shkruar konsujt, gjermanisht dhe herë-herë frëngjisht). Raportet e konsujve mund të shkarkohen falas në këtë link: https://austriaca.at/9783700182085