Kulturë

Të shtunën nis Tirana International Film Festival, TIFF hapet me “testamentin” filmik të Gjergj Xhuvanit

Të shtunën (19 shtator) nis Edicioni i 18-të i Tirana International Film Festival (TIFF) 2020 OSCAR® qualifying. Slogani i këtij viti është "PICTURE YOUR LIFE | CREATE THE FUTURE". Këtë herë festivali do të hapet me filmin "Liqeni im" që është edhe puna e fundit që la regjisori, Gjergj Xhuvani. Filmi vjen si një homazh për një ndër emrat më të vyer në kinematografi në 30 vitet e fundit. Po ashtu vjen si premierë kombëtare filmi "Willow" nga regjisori i famshëm, Milcho Manchevski fitues i Venecias me "Before the Rain".

Në total do të shfaqen 230 filma. Do të jenë 108 filma në garë nga të gjitha kategoritë dhe zhanret kinematografike përfshire edhe filmin në shqip. Ndërsa 112 filma të tjerë nuk do të jenë të nominuar në kategoritë e caktuara.

Agron Domi, organizatorin e këtij festivali, i lutur për të folur më shumë për edicionin e këtij viti, zbuloi pak nga prapaskenat e filmit të fundit të regjisori Xhuvani. Filmi rrëfen historinë e djaloshit Kristo që jeton në një fshat në buzë të Liqenit të mrekullueshëm të Prespës, një vend i veçantë ku ndahen ujerat në kufijtë e tre vendeve të Ballkanit: Shqipëria, Maqedonia dhe Greqia. Për të mbajtur familjen e tij, Kristo është bërë një trafikant i marihuanës, duke përdorur varkën e tij dhe njohjen e mirë të ujërave të liqenit për të transportuar pako me drogë nga ana shqiptare në atë maqedonase.