Kulturë

Panairi i Librit hapet me mesazhe për politikanët që e anashkaluan

Në tre vende është prerë shiriti i kuq në shenjë simbolike për hapjen e edicionit të 19-të të Panairit të Librit “Prishtina 2017”.

Këtë e kanë bërë një ambasador, një ish-politikan e shkrimtar dhe një aktor për ta hapur për vizitorë ngjarjen më të madhe të librit në kryeqytet, shkruan sot “Koha Ditore”. Shkrimtarë, gazetarë e lexues të tjerë në mbrëmjen e së martës janë futur në ambientet e Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve për të shikuar a blerë vepra që janë vënë në dispozicion nga mbi 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e diaspora.

Pa asnjë politikan aktiv - siç kishte ndodhur edhe më 2014, kur asokohe po ashtu kishte fushatë zgjedhore - organizatorët u kanë uruar mirëseardhje vizitorëve pak para se Besnik Mustafaj, Çun Lajçi e ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, të prisnin shiritin.

Daut Demaku, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës që e organizon ngjarjen e librit, ka thënë se ka ardhur momenti dhe koha që të “shpallet e hapur ngjarja më e madhe kulturore që ndodh në tokën e Kosovës.” Menjëherë pas kësaj fjalie, ajo pasuese ka pasur mesazh për politikën. “Kjo ngjarje po ndodh sot vetëm me ata që duhet të ndodhë, me botues, shkrimtarë, redaktorë, librarë dhe të gjithë ata që merren me librin, sidomos me sponsorin kryesor të librit që quhet lexues”, ka thënë Demaku. Duke thënë se nuk e di se si ta quajë e duke e konsideruar edhe si fat, Demaku ka përmendur se politikanët mungojnë në këtë ngjarje.

Ish-politikani e ish-ambasadori shqiptar, Besnik Mustafaj, si folësi i dytë dhe i fundit në hapje të kësaj ngjarjeje, krejt në fillim ka rrëfyer se për herë të parë Prishtinën e kishte vizituar në maj të viti 1991 dhe diku në mjediset e Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve kishte ngrënë drekën e parë në kryeqytetin kosovar. Shoqërohej nga presidenti, Ibrahim Rugova.

Sipas Mustafajt, politikani duhet të jetë njeri i kulturës e i librit pasi vetëm duke qenë i tillë është edhe i shpirtit dhe i mendjes për kombin e tij. Praninë e të rinjve e ka parë si shenjë domethënëse për shpresën që ka Kosova për të qenë një vend serioz e evropian.

Ceremoninë e ka mbyllur aktori veteran Çun Lajçi me recitimin e një poezie.

Në prag të jubileut të 20-të, në Panair do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore. Do të organizohen takime e diskutime me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Pal Engjëllit, 300-vjetorit të lindjes së Françesk Avatit, 220-vjetorit të lindjes së Naum Veqilharxhit, 120-vjetorit të lindjes së Shime Deshpalit, 110-vjetorit të lindjes së Mitrush Kutelit, 100-vjetorit të lindjes së Musine Kokalarit, 80-vjetorit të lindjes së Anton Pashkut, 30-vjetorit të vdekjes së Lasgush Poradecit, bashkë me shumë përvjetorë të tjerë. Gjatë ditëve të Panairit, i cili do të qëndrojë i hapur deri të dielën, do të ketë edhe shumë promovime të titujve të rinj.

Këtë vit Botimet KOHA prezanton 8 tituj të rinj dhe 16 sish që janë botuar pas Panairit të vitit të kaluar deri më tani... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.