Kulturë

“Më duaj pa më njohur” si thirrje universale për dashuri

Prapa kopertinës shumëngjyrëshe ku e kuqja dominon pjesën më të madhe të saj, Drenusha Zajmi-Hoxha ka përmbledhur mbi 70 poezi që rrinë përkrah mbi 70 pikturave. “Më duaj pa më njohur”, titullohet libri më i ri i autores Zajmi-Hoxha, i cili është pjesë e tetë titujve të rinj që Botimet KOHA ka sjellë për lexuesit gjatë mini-panairit të organizuar muajin e kaluar. Librin ku bëhen tok poezia e piktura, autorja nga Prizreni e ka titulluar si një album poetik, i cili vjen si thirrje globale për shpërndarje më të madhe të dashurisë midis njerëzve. Pasionin e zbuluar viteve të fundit në pikturë, Zajmi-Hoxha vendosi që ta bashkojë me poezinë që e ka krijuar për afro dy dekada. Ajo po i kontribuon edhe letërsisë për fëmijë në Kosovë me poezitë të cilat janë pjesë e teksteve shkollore dhe deri tani ka botuar tre libra për fëmijë të cilët janë “Vishe botën me buzëqeshje”, “Eko Librus dhe misioni për shpëtimin e Planetit” dhe librin “Thuaj botës të dua”. Ajo tregon se ndjenja që i ka mbetur borxh poezisë, pas botimit të librave të tjerë ka qenë edhe shkas për librin “Më duaj pa më njohur”.

“Poezitë e mia në këtë libër janë të shkruara gjatë dy dekadave dhe tani së fundmi i erdhi radha këtij libri, sepse në njëfarë mënyre i kam hyrë në borxh poezisë sime, sepse e kam anashkaluar”, shprehet Zajmi-Hoxha.

Drenusha Zajmi-Hoxha një pjesë të podrumit të shtëpisë e ka shndërruar në atelie, që e ka mbushur me piktura. Veten në pikturë, fillimisht e sfidoi nëpërmjet artit me pika. Pikturimin çdo ditë e më shumë e sheh si një ndërlidhje me poezinë duke e konsideruar si shpërfaqje të mendimeve dhe fjalëve nëpërmjet ngjyrave në pëlhurë.

“Meqë merrem edhe me pikturë, më erdhi si ide që ta zbus monotoninë e librit me piktura. Pikturat nuk janë bërë enkas për secilën poezi, por jam munduar t’i përshtat dhe natyrisht për fund doli si një përmbledhje interesante edhe e veçantë. Jam shumë e lumtur edhe Botimet KOHA i kanë dhënë një kualitet të mirë librit dhe mendoj se ka dalë mjaft unik”, tregon shkrimtarja nga Prizreni.

Image