Kulturë

Heronjtë e profesionit dhe solidariteti përballë të pazakonshmes

Është diçka që vjen thuajse çdo njëqind vjet. Me shfaqjen e pandemisë, në çdo cep të botës, u përmbys gjithçka. Edhe rendi botëror nuk do të jetë më i njëjti. Një pjesë e njerëzve u strukën në vetvete, të tjerët e mohuan, kurse një shumicë tregoi solidaritet.

Në anën tjetër, është edhe një mjek i ri për të cilin tiktaket e largimit drejt Gjermanisë po rrahin. Ai, sikundër edhe plot mantelbardhë të rinj, iu përgjigj thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë për mjekë vullnetarë në Qendrën e Studentëve, aty ku shteti vendosi karantinën për qindra njerëz.

Dy rrëfime të ndryshme, e megjithatë të ngjashme, përvojash e brezash u shpalosën mbrëmjen e së premtes gjatë panelit “Solidariteti në veprim” në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit (Anibar) në Pejë, shkruan KOHA.

Në diskutimin e moderuar nga gazetari Durim Abdullahu, mikorobiologu Lul Raka dhe mjeku Gent Jakupi treguan copëza përjetimesh nga gjashtë muaj përballje me pandeminë që ende po vazhdon.

Thuajse një shekull më parë, njerëzimi ishte ballafaquar me gripin spanjoll që la pas vete dhjetëra-miliona të vdekur. Edhe në mijëvjeçarin e ri pllakosën shpërthime pandemike, prej SARS-it e deri tek ebola e zika.

Eksperti i mikrobiologjisë, Lul Raka, ka thënë se pandemia me virusin e ri me kurorë, përveç anëve të këqija, është një rast për të rimenduar shumëçka.

“Ka nevojë për një qasje të re, për vizion të ri dhe reflektim në të gjitha nivelet për atë se çfarë është e rëndësishme”, ka thënë Raka.

Masat shtrënguese të qeverive anekënd botës bënë që njerëzit të shkëputeshin nga përditshmëria e tyre, aq sa viti i kaluar e relaksimi në pushime verore ngjante gati si ëndërr. Ndërsa gjetkë kishte pasur shpërthim egosh e mbyllje të njerëzve, shqiptarët sikur ishin të eksperiencuar përballë një krize si kjo.

“Solidariteti është pjesë e kulturës dhe traditës së popullit tonë. Në momente krizash, ne u qëndrojmë pranë familjes, të afërmeve dhe atyre në nevojë”, ka thënë Raka.

Studenti i mjekësisë nga Peja, Gent Jakupi, ishte duke e punuar temën e diplomës kur gjendja e jashtëzakonshme pllakosi vendin.

Mjekët e rinj kishin pranuar një thirrje nga Ministria e Shëndetësisë për t’u paraqitur vullnetarë në Qendrën e Studentëve, aty ku shteti e kishte vendosur karantinën për personat që vinin nga jashtë Kosovës.