Kulturë

“DokuFest” në mesin e festivaleve më “cool” të këtij viti

“DokuFest” në mesin e festivaleve më “cool” të këtij viti
Foto: DokuFest

“Se çfarë e bën dikë ‘cool’, është gati e pamundur për ta artikuluar”, ka shkruar stafi i revistës së njohur amerikane dedikuar artit dhe kulturës, “MovieMaker”. Kështu ata e nisin artikullin, në të cilin kanë radhitur 25 festivalet e filmit më “cool” të këtij viti. Mirëpo, sipas tyre, njerëzit e kuptojnë që diçka është e mirë kur e shohin atë. E syve të pesë panelistëve, që e kanë përpiluar listën, nuk iu ka ikur festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Festivali, i cili edicionin e sivjetmë, të 19-n, është duke e mbajtur online për shkak të pandemisë, është radhitur në vendin e shtatë. “DokuFesti” nisi më 7 gusht dhe përfundon më 25 të këtij muaji.

“Disa kanë bërë në mënyrë të qartë ndryshime të mëdha së fundi për të mirën e të gjithëve. Kjo është gjëja më ‘cool’ që ne mund ta imagjinojmë”, shkruhet në artikull. Sipas përshkrimit, panelistët kanë përfshirë edhe festivalet që janë aranzhuar për në fund të këtij viti dhe festivalet që synojnë të rikthehen me organizime tradicionale.