Kulturë

Pasqyrimi i Shqipërisë në dy etapa historike përmes filmave

Kineasti italian, Massimo Benvegnù, është kthyer pas më shumë se shtatë dekadave në Shqipëri. Ka ecur përgjatë shtegut të njëjtë që kishte kaluar gjyshi i tij, Antonio. Rrugëtimi i tij është dokumentuar nga regjisori shqiptar, Mentor Selmani. Filmi është një lidhje me paraardhësit dhe një rrugëtim personal. Përmes tij, publiku ka mundësinë që të absorbojë edhe një pjesë të historisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Omonimia” titullohet filmi i shkurtër, i cili është edhe në garë në kategorinë kombëtare në edicionin e sivjetmë të “DokuFest”-it. “Omonimia” nuk është filmi i vetëm brenda kësaj gare që pasqyron një etapë të caktuar të Shqipërisë. “Dilema e Ismailit”, nën regji të Dhimitri Ismailajt, fokusohet plotësisht te Lufta e Dytë Botërore. Ismaili, personazhi kryesor i filmit, gjendet para një dileme. Ai e pyet veten se a është hero nëse i shpëton hebrenjtë në kohën kur nazistët i vrisnin ata. Ismaili përballet me dy opsione. Është në mes të mbajtjes së besës dhe mbrojtjes së familjes së tij. E një pamje tjetër e Shqipërisë vjen përmes regjisorit Ardit Sadiku. Brenda 10 minutave në filmin “Ngjitëse”, ai shpërfaq një problem të së tashmes, atë të papunësisë.

“Mos u frikësoni nga anët e errëta. Bëni paqe me të kaluarën”, është mesazhi që kineasti italian, Massimo Benvegnù, i lë publikut që është i interesuar për të parë filmin. “Omonimia” njëlloj si “Dilema e Ismailit” e “Ngjitëse” janë të qasshëm në platformën online të “DokuFest”-it deri më 15 gusht. Festivali në edicionin e sivjetmë, XIX me radhë, është duke e mbajtur online për shkak të pandemisë. Benvegnù, për KOHËN ka thënë se sfida e tij më e madhe ishte përballja me të panjohurën. Këtë proces, sigurisht e kishte bërë më të vështirë fakti se ai gjatë gjithë kohës ka qenë duke u xhiruar. Mirëpo, ka treguar se kishte besim te regjisori.

“Shpresoj që publiku të inspirohet për të bërë udhëtimin e tyre, për të zbuluar më shumë për paraardhësit e tyre apo anëtarët e tyre të familjes. Gjenerata para neve kanë pasur zakonet e tyre, besimet dhe idetë që sot mund të jenë të dala nga koha, por është e rëndësishme që të dëgjojmë tregimet e tyre në mënyrë që të ecim përpara”, ka thënë ai.

Regjisori Mentor Selmani, me të lexuar tekstin e shkruar nga Benvegnù, kishte ndier energji dhe dëshirë për ta kthyer atë në një projekt filmik. Me të nisur puna, Selmani ka thënë se pjesa më e vështirë kishte qenë për të gjetur vendin ku ishte zhvilluar lufta në mes të italianëve dhe grekëve, duke marrë parasysh terrenin e vështirë nëpër male. Për të, pjesa më e vështirë emocionale ishte që të kthente si narracion e ta shoqëronte me imazhe një tekst personal. Sipas tij, filmi ka disa interpretime të ndryshme.