Kulturë

Nis rregullimi i shembjeve të Kalasë, ku u investuan një milion euro

Në shtator bëhet një vit prej kur janë ndërprerë punimet e dy vjet prej kohës kur në Kalanë e Novobërdës lindën problemet pas investimit të një milion eurove. Pamjet e një ekskavatori, që në shtatorin e kaluar po shembte fasadën për t’iu rikthyer restaurimit, kishin alarmuar institucionet e publikun. Punonjësit e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve me të arritur në vendpunishte kishin thënë se punimet duhet të ndërpriteshin. Punimet kanë rinisur javën e kaluar, ndërsa konsolidimi do të bëhet nga kompania që ka kryer restaurimin. E projekti për ndërhyrjen e re është miratuar qysh në tetor të vitit të kaluar. Konservimin dhe restaurimin e Kalasë së Novobërdës i kanë përcjellë problemet që nga fillimi.

Më 2015 atje kishin zbarkuar punonjës e mjete të kompanisë “Koto”, me seli në Beograd. Me kontratën e UNESCO-s, që është përgjegjëse për punimet, kishin nisur të ngrenë skele. Por asokohe Instituti Arkeologjik i Kosovës kishte ndërprerë punimet. U ishte thënë se duhej të prisnin leje për të nisur punën. Pas dy javësh restauruesit e konservuesit kishin nisur të kryenin detyrat. Por vjeshta e vitit 2018 kishte nxjerrë në pah se jo gjithçka ka shkuar mirë. Kishin filluar shembjet. Të alarmuara, institucionet e trashëgimisë kulturore kishin nisur të flisnin për përgjegjësi. Bëhet fjalë për një projekt ndërkombëtar. Në kuadër të fondeve IPA, Bashkimi Evropian ka ndarë 1 milion euro për restaurimin e konservimin e monumentit. UNESCO-ja ishte përgjegjëse për kontraktimin e kompanisë që e ka bërë projektin e asaj që e ka implementuar atë. Hartimi i projektit konservues e restaurues ishte bërë nga kompania “Omega Engineering”, me seli në Dubrovnik e punët ishin kryer nga kompania “Koto”. Mbikëqyrja ishte bërë nga përfaqësues të këtyre dy kompanive e po ashtu edhe nga përfaqësues të UNESCO-s, Bashkimit Evropian e të institucioneve vendore. Sa i përket UNESCO-s, gjithçka është administruar nga selia e Ballkanit me qendër në Sarajevë, që udhëhiqet nga Sinisha Sheshum. “Koto” i ishte kthyer vendpunishtes në mars të vitit të kaluar, për të mbledhur pak nga copat e rëna.

Slobodan Radovanoviq, në ditën e 12 marsit, me një bashkëpunëtor kishin marrë mostra të llaçit, që është përdorur në muret e strukturave që shkojnë në lartësi deri në 10 metra. Kishte fotografuar hapësirat ku ishte shembur fasada e gurët në anën e jashtme të mureve e po ashtu në një vend nga brenda. Radovanoviq kishte hipur edhe mbi mure për të fotografuar pjesët e tjera të ënjtura, që kanë dhënë sinjale të një shembjeje të mundshme.

“Analizat marrin rreth dhjetë ditë. Do të bëjmë një raport, që do t’ua dërgojmë palëve dhe pastaj do të shohim se si do të veprohet”, u kishte thënë Radovanoviq përfaqësuesve institucionalë. Në shtator të vitit të kaluar, Gjorgje Tomiq, shef për çështje ligjore në “Koto” kishte thënë se kompania ka marrë qëndrim që të mos paragjykojë arsyen e defekteve. Këtë e ka thënë shtatë muaj pas analizave të materialit.

“Ka shumë arsye që do të mund të shkaktonin problemet, kushtet e vështira të motit, materialet, gabimet e projektit. Përmendëm disa”, kishte thënë ai. Shefi i Zyrës së UNESCO-s në Sarajevë, Sinisha Sheshum, ka heshtur. Njëjtë ka vepruar edhe mbikëqyrësi i punimeve nga kompania kroate, Zheljko Pekoviq. Në shtator të vitit të kaluar Ministria e Kulturës kishte ngritur kallëzim penal për kompaninë serbe. Por në anën tjetër, institucioni i saj vartës, Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ka miratuar një projekt të ri, nëpërmjet të cilit pikërisht “Koto” do të bëjë konsolidimin e dëmeve në Novobërdë.

Darko Gligorijeviq është përfaqësues ligjor i kompanisë “Koto”. Në maj ai kishte thënë se përpjekjet për rehabilitimin e fronteve të mureve të ndërtuara rishtazi u ndërprenë për shkak të kushteve të këqija të motit dhe shpërthimit të pandemisë COVID-19. “Shpresojmë që me normalizimin e gjendjes shëndetësore dhe kushteve të përshtatshme të motit të jemi në gjendje të vazhdojmë me punimet , Por nuk varet vetëm nga vullneti ynë”, kishte thënë ai. Ka përsëritur disa herë që shkaku i situatës aktuale me pandeminë, nuk mund të japë afat për përfundimin e punimeve. “Duke marrë parasysh përgjigjen e mëparshme, në këtë moment ne nuk mund të japim një vlerësim të saktë të afatit brenda të cilit do të përfundojnë punimet. Ne vetëm mund të shprehim gatishmërinë tonë për të filluar punën me kompanitë tona partnere në këtë fushë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Gligorijeviq.

Institucionet vendore nuk kanë qenë asnjëherë të bashkuara rreth këtij projekti. Kur kishin nisur konservimi e restaurimi më 2015-n, Instituti Arkeologjik i Kosovës ishte institucioni kryesor vendor sa i përket përcjelljes së punimeve. Tash është Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Vitin e kaluar zyrtarët e këtyre institucioneve ishin krejtësisht të ndarë në raport me zhvillimet në Kala.

Drejtori i IKMM-së, Ismet Hajrullahu, thoshte se janë bërë punime krejt joprofesionale. Për këtë fliste me bindje historiani që ia kishte mësyrë të bëhej kryetar i Lipjanit në radhët e PDK-së, e pasi nuk ia kishte dalë, në qershor të vitit 2018, kishte marrë drejtimin e IKMM-së.

“Ka zhvillime e veprimeve joprofesionale të kompanisë ‘Koto’, që nga betonimi i gjetjeve arkeologjike e deri te punimet e fundit me ekskavator. Nuk kam dëgjuar kund që ekskavatori të jetë përdorur në rehabilitimin e mureve të një kalaje. Ajo është një punë joprofesionale. Punët me ekskavator janë veprime kokë më vete”, kishte thënë Hajrullahu, në shtator të vitit të kaluar.

Për dallim nga Hajrullahu, drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka qenë më i butë sa u përket ndërhyrjeve me ekskavator. Kishte thënë se kjo lloj ndërhyrjeje është e vrazhdë për sy. Sipas tij, do të hiqet e gjithë fasada e mureve ku ka pasur shembje. Ky cilësohet si veprim profesional që të mos ketë defekte në të ardhmen.

“Kompania ka thënë se nuk guxojnë të bëjnë ndërhyrje vetëm në fasadën që ka rënë dhe duhet të hiqet fasada edhe përtej pjesës së rënë. Ai pastrim aq i madh nuk mund të bëhet me dorë. Në Kosovë nuk kemi pasur makineri në arkeologji. Në kontekstin evropian, ka. Fuqia e njeriut nuk mund të jetë efektive për pastrim të këtij lloji. Por kemi kërkuar që të bëhet një komision i njerëzve me përvojë dhe le ta marrin përgjegjësinë nëse lejohet makineria apo jo”, kishte thënë Rexha.

Por drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, Vjollca Aliu, ka thënë se punimet që kanë nisur javën e kaluar janë duke u mbikëqyrur nga dy institucione.

“Punimet janë nën mbikëqyrje të IKMM-së dhe IAK-ut”, ka thënë ajo.

Arkeologu tash në pension, Haxhi Mehmetaj, bashkë me kolegun e tij Luan Gashi ishin caktuar si përcjellës të punimeve gjatë kohës së konservimit e restaurimit të Kalasë. Mehmetaj u kishte prirë gërmimeve arkeologjike për disa vite në Novobërdë. Sipas tij, nuk është vërejtur ndonjë shkarje gjatë procesit të punës për konservim e restaurim.

“Kemi pasur rastin ta mbikëqyrim punën të gjithë. Absolutisht askush nuk ka pasur vërejtje. Pas dy vjetësh kanë lindur problemet. Kemi qenë të shokuar, pasi kemi konsideruar që është bërë një punë jashtëzakonisht e mirë. Duhet të bëhen analizat”, ka thënë Mehmetaj. I pajtimit me këtë qëndrim është edhe ish-shefi i tij, Enver Rexha. Ai ka thënë se është punuar mirë. Sipas tij, temperatura e kushtet meteorologjike në Novobërdë ndryshojnë brenda ditës.

“Periudha e tharjes së llaçit del se është zënë nga lagështia”, ka thënë ai.

Por krejt tjetër mendim kanë disa profesionistë të tjerë.

Arkitekti Sali Shoshi, i cili udhëheq me degën në Kosovë të organizatës suedeze “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, thotë se problemet kanë filluar qysh në projektim. Ai ka thënë se nuk janë respektuar as dokumentet ndërkombëtare në fushën e trashëgimisë kulturore. Ka përmendur Kartën e Venedikut dhe atë të Burras. E para lejon rikonstruktim të menjëhershëm pas fatkeqësive natyrore e tjetra kur bëhet fjalë për rijetësim të monumenteve. Në anën tjetër, sipas tij, është përdorur çimento gjatë punës.

“Këto probleme nuk janë identifikuar ose janë neglizhuar nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Shoshi. Qytetit të epërm të Novobërdës është tentuar t’i kthehet pamja e mesjetës.

Arkitektja Gjejlane Hoxha, e cila ishte udhëheqëse ekzekutive e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi kulturore, kur kishin nisur punimet e kur ishte miratuar projekti nga institucionet vendore, ka thënë se projektimi është realizuar në kundërshtim me parimet dhe standardet profesionale të konservimit të trashëgimisë arkeologjike, që nga planifikimi e deri te punimet ndërtimore.

“Them ndërtimore, sepse në masë të madhe janë ngritur muret e reja të Kalasë, të cilat kanë degraduar dhe ndryshuar rrënjësisht autenticitetin dhe cenuar integritetin e asetit të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje”, ka thënë Hoxha. Sipas saj, më datë 25 shkurt 2015, rastësisht ka hasur në dokumentin e tenderit dhe përshkrimin e punimeve që do të realizoheshin. Thotë se edhe aty ka vërejtur se Kalasë i cenohen autenticiteti dhe integriteti. Për këtë ua kishte bërë një shkresë kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ministrit të Kulturës dhe atij të Planifikimit Hapësinor.

“Projekti ka vazhduar me përfundim konservimin skandaloz, duke krijuar dëme të pariparueshme për asetin e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të shtetit”, thotë Hoxha. Ka thënë se bashkë me ekspertë të tjerë vendorë, si anëtarë të ICOMOS – Organizatë kjo që punon me UNESCO-n – kanë parashtruar një raport dhe kërkesë për shqyrtim të rastit nga ICOMOS-i.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit krejt situatën e ka sqaruar duke ia përcjellë gazetës komunikimin midis drejtorit të IKMM-së, Ismet Hajrullahu dhe drejtorit të zyrës rajonale të UNESCO-s, me seli në Sarajevë, Sinisha Sheshun. Vetë Hajrullahu nuk është deklaruar për situatën e re. Ka rekomanduar që sqarimet të merren në Ministrinë e Kulturës.

Sipas komunikimit zyrtar përmes postës elektronike, në ditën e 4-të të majit, Hajrullahu ia ka sqaruar Sheshunit se situata me pandeminë është drejt përmirësimit dhe ka kërkuar që të njoftohet rreth përgatitjeve për fillimin e punimeve që do të konsolidonin shembjet në Kalanë, që si vendbanim daton qysh nga Antika, kurse lulëzimin e kishte në Mesjetë.

“Do të jemi në kontakt me kontraktorët, në mënyrë që të nisim përgatitjet për ndërhyrjet e nevojshme”, i është përgjigjur po atë ditë Sheshun. Një përgjigje të saktë për kohën e nisjes së punimeve nuk e ka asnjë nga palët e përfshira në projekt.

“Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Shaban Maxharrajt dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK- së”.