Kulturë

Sfera online, fokus për idetë për trashëgiminë kulturore

Pandemia mund të ndikojë edhe tek idetë mbi trajtimin e trashëgimisë kulturore. Fondacioni kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Kosova) ka hapur thirrjen për projekte përmes edicionit të pestë me radhë të platformës “Heritage Space”.

Në thirrjen e shpallur të enjten, kjo organizatë ka ftuar të gjithë artistët dhe profesionistët të cilët veprojnë në fushën e kulturës, industrive kreative dhe shkencave humanistike digjitale që të aplikojnë për platformën e sivjetme.

Sipas “CHwB Kosova”, platforma në fjalë është “një mundësi për të punuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore nëpërmjet hulumtimit, dokumentimit dhe interpretimit”.

“Kjo platformë, përmes mentorimit profesional dhe mbështetjes teknike, inkurajon qasjet inovative në trajtimin e trashëgimisë kulturore, për të nisur dhe vazhduar diskurset për të kaluarën, të tashmen si dhe të ardhmen. ‘Heritage Space’ ofron hapësirë për artistë dhe profesionistë të cilët veprojnë në fushën e kulturës, industrive kreative dhe shkencave humanistike digjitale, për të punuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore nëpërmjet hulumtimit, dokumentimit dhe interpretimit”, thuhet në kumtesën e “CHwB Kosova”.

Sipas organizatorëve, ky edicion do të mbështesë fusha kreative, si rrëfimi dhe interpretimi, digjitalizimi i trashëgimisë, trashëgimia e errët si edhe arkivimi i së përkohshmes (praktikat e dokumentimit në kohë reale).

Siç thuhet në njoftim, platforma e sivjetme e “Heritage Space” do t’i favorizojë “idetë që marrin parasysh tranzicionin e suksesshëm në sferën online, për të reaguar kështu ndaj kontekstit të ri social dhe kulturor si rezultat i pandemisë së vitit 2020”.

Menaxherja e Programit në “CHwB Kosova”, Blerta Ismaili, ka thënë se edicionit të sivjetmë i janë shtuar dy fusha të reja, siç janë trashëgimia e errët dhe arkivimi i së përkohshmes.