Kulturë

Reagimet e shqiptarëve në Finlandë ndryshojnë skenarin e serisë “Karkurit”

Aktorit kosovar Shkelzen Bucolli i ka mjaftuar që të shohë vetëm një pjesë të skenarit për rolin potencial, Andrejin, në serinë finlandeze “Karkurit” (Të arratisurit) për ta refuzuar atë. Arsyeja ishte e thjeshtë: nuk e pranonte narrativen për shqiptarët që do të shpalosej në njërën nga episodet e serisë që do të transmetohet në “ C More” nga fundi i këtij viti. Aq sa kishte arritur të kuptonte Bucolli nga një pjesë e shkurtër e skenarit që kishte pranuar, shqiptarët paraqiteshin si vrasës të serbëve. Për këtë kishte njoftuar edhe agjencinë, e cila i kishte ndihmuar që ta gjente rolin. Në një e-mail ua kishte sqaruar se nuk e pranon rolin në fjalë, pasi që është në kundërshtim me të vërtetën. Pas më shumë se një jave, Bucolli është njoftuar se ekipi punues i serisë është duke e ndryshuar skenarin. Arsye për këtë ka thënë se është interesimi i komunitetit shqiptar në Finlandë dhe kërkesat e tyre drejtuar ekipit punues që seria të mos shfaqej me narrativen e menduar në fillim. Producenti Pietari Vappula, në një përgjigje përmes postës elektronike për KOHËN, ka thënë se do ta ndryshojnë episodin në fjalë pikërisht pas reagimeve që kanë marrë gjatë procesit të audicionit. Sipas tij, skenari i ri nuk do të përmbajë më referenca që kanë të bëjnë me luftën në Kosovë.

Tre regjisorë janë prapa realizmit të serisë “Karkurit”. Jalmari Helander, i njohur për filmin “Rare Exports: A Christmas Tale” (2010) dhe “Big Game” (2014), në të cilin luan aktori i njohur amerikan Samuel Leroy Jackson. Është regjisori finlandez-iranian Hamy Ramezan, i cili fitoi çmimin për narrativen me të mirë të shkurtër në “Tribeca Film Festival” në vitin 2015 dhe filmi i të cilit “Kuuntele” ishte i nominuar në “European Film Award” për filmin me të mirë të shkurtër. Pjesë e ekipit është edhe regjisorja Saara Cantell, e nominuar si regjisorja më e mirë për çmimin prestigjioz të Finlandës “Jussi Award”.