Kulturë

“Augenblicke” si një histori personale mbi dhunën ndaj grave

“Augenblicke” si një histori personale mbi dhunën ndaj grave
“Augenblicke” i Kiana Naghshinehes tregon tri perspektiva e një të vërtetë. Në katër minuta sjell këndvështrimin e gruas që lufton gjersa sulmohet, këndvështrimit të burrit që kryen krim dhe këndvështrimit të disa dëshmitarëve okularë që jetojnë në shtëpitë përreth

Hija e një gruaje e cila ecën gjatë rrugës, dhe pastaj ajo e burrit që i qepet nga pas. Kaq kishte pasur të vizualizuar në mendjen e saj animatorja Kiana Naghshineh para katër vjetësh, kur për herë të parë kishte menduar për filmin e saj të shkurtër “Augenblicke” (“Një rrahje qerpikësh”, 2018). Ishte bazuar në një eksperiencë personale dhe fillimisht e kishte pasur të vështirë që të njëjtën ta vizualizonte. Kishte pasur dilema nëse duhet kthyer në një projekt filmik diçka që vetë kishte përjetuar para një dekade. Dy vjet pas realizimit të filmit, në një bisedë online pas shfaqjes së filmit – në ngjarjen e organizuar nga festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar” – regjisorja nga Irani ka thënë se filmi ka për qëllim që të nxisë diskutim mbi dhunën dhe që t’u japë zë viktimave.

Pikërisht me animacionin “Augenblicke”, regjisorja dhe animatorja diplomoi në Paris, në “Gobelins l’ecole de I’mage”. Ajo ka thënë se për të sjellë këtë histori i kishin ndihmuar edhe profesorët, pasi që në fillim kishte pasur dyshime nëse kishte mjaftueshëm guxim për të realizuar një projekt të tillë. Regjisorja nuk e kishte pasur të vështirë që të gjente titullin për animacionin e saj. Fjala “Augenblicke”, sipas saj, është diçka që e përshkruan më së miri situatën të cilën ajo e kishte përjetuar.