Kulturë

Ministria kërkon rikthimin e ish-“Kino Rinisë” tashmë të tjetërsuar

Descriptive Text

Ish-“Kino Rinia” ka kohë që nuk i përngjan më një vendi ku për më shumë së një gjysmëshekulli janë shfaqur filma, e tek tani Ministria e Kulturës ka dalë me kërkesën që objekti, i cili prej pasluftës së fundit në Kosovë ishte “Kino ABC2”, të kthehet në gjendjen e mëparshme. MKRS-ja ka reaguar sa i përket njoftimit për lëshimin me qira të objektit, teksa i ka kërkuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit që objekti të “ribëhet” kinema.

Reagimi vjen pasi AKP-ja ka përzgjedhur ofertuesin me çmimin me të lartë për dhënien me qira të objektit afër qendrës së kryeqytetit. Në konkursin e mbyllur muajin e kaluar, për atë që titullohet “Hapësira afariste e tenderuar me sipërfaqe të përgjithshme prej 1722 metra katrorësh është e ndarë në katër hapësira”, janë dhënë dy oferta. Bëhet fjalë për ndërmarrjen shoqërore “Genci”, që menaxhon me atë që dikur ishte “Kino Rinia” në rrugën “Migjeni” dhe me “Kino ABC” në rrugën “Rexhep Luci”, që ishte “Kino Vllaznimi”. Me vetë “Gencin”, si kompani për distribuimin dhe shfaqjen e filmave, menaxhon AKP-ja. Asetet e “Gencit” janë në likuidim qysh prej vitit 2014. Por nuk janë privatizuar ende. AKP-ja është në zhvillim të procedurave për dhënien me qira për një vit. Por paraprakisht hapësirës i është ndërruar gjendja ndër vite. Herën e fundit është punuar së voni, por ndërhyrja ishte ndalur.

Të premten e javës së kaluar, Ibër Alaj, i cili është duke zëvendësuar ish-sekretarin e përgjithshëm të MKRS-së, Veton Firzi, i është drejtuar me një shkresë elektronik drejtorit të AKP-së, Valon Tolaj.

“Siç jeni në njohuri edhe ju, në ‘Kino ABC 1’, kanë filluar të bëhen disa punime, ku si rezultat i këtyre punimeve ‘Kino ABC 1’ është duke iu ndryshuar në tërësi destinimi dhe qëllimi i veprimtarisë së saj”, shkruhet në shkresë.

Aty përmendet Ligji për kinematografi, që përcakton se pa lejen e Qendrës Kinematografike të Kosovës nuk mund t’u ndërrohet destinimi kinemave. Madje edhe nëse ato shiten.

“Kinemave në pronësi shoqërore ose publike, të privatizuara apo të dhëna me qira personave fizikë ose juridikë, vendës ose të huaj, nuk mund t’iu ndryshohet qëllimi i veprimtarisë pa pëlqimin e QKK-së”, shkruhet në nenin 8 të këtij ligji, që është në fuqi qysh prej vitit 2004. Po atë vit ishte themeluar edhe Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, që më vonë është shndërruar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Në shkresë sqarohet se punimet janë duke u bërë në kundërshtim me Ligjin, pasi që subjekti që ka bërë punimet nuk ka marrë leje nga QKK-ja.

“Prandaj kërkojmë nga ju që urgjentisht të merrni vendim apo ndonjë veprim për ndërprerjen e punimeve në ‘Kino ABC 1’ dhe po ashtu kërkojmë që ky objekt të kthehet në gjendjen e mëparshme”, shkruhet në këtë shkresë. MKRS-ja po ashtu i ka thënë AKP-së që sa më shpejt të përmbushë obligimet ligjore.