Kulturë

Në shteg me “Marakli t’biciklave”

Është ora 17:00, një pasdite e fundkorrikut në Prishtinë dhe ky grup i vogël i çiklistëve është mbledhur në lagjen “Ulpiana”.

Pas përfundimit të orarit të punës, ata dalin me biçikleta dhe bëjnë xhiro në rrugët e kryeqytetit dhe në vende periferike.

Mes trafikut të dendur në kryeqytet, këta anëtarë të grupit “Marakli t’biciklave”, kanë vendosur të përshkojnë rrugën nga lagjja “Ulpiana” deri në qytetin e Fushë-Kosovës.

Pasioni i tyre për çiklizëm sfidohet nga rreziku i shpejtësisë së veturave dhe shtigjeve joadekuate për biçikleta, raporton KOHA .

Ngasja e biçikletës, sidomos nëpër rrugët e kryeqytetit, është tejet sfiduese për sigurinë e tyre, thonë anëtarët e grupit “Marakli t’biciklave”.

Ky grup i çiklistëve ka kohë që mblidhet për të diskutuar rreth pasionit dhe problemeve të përbashkëta.

Grupi “Marakli t’biciklave” funksionon tash dy vjet, derisa çiklizmi në Kosovë vazhdon të mbetet sport i pëlqyer, me gjithë rrethanat joadekuate.