Kulturë

Filmat e dyshes nga Kosova në Sarajevë – suksesi i radhës i artistëve vendorë

“Galaktika e Andromedës”, nën regji të More Raçës, dhe “Exil” me regji të Visar Morinës, janë dy filmat që përmbyllin pesëditëshin e suksesshëm të kinematografisë e kineastëve të Kosovës. Pas filmit “Zana” të Antoneta Kastratit, që do të shfaqet në “Shanghai Film Festival” në Kinë, e “Shtëpisë së Agës” i Lendita Ziqirajt me katër nominime në “Pula International Film Festival” në Kroaci, është festivali prestigjioz “Sarajevo Film Festival” që i ka futur filmat e dyshes nga Kosova në garën kryesore, atë për filmin më të mirë. Garojnë edhe për “Zemrën e Sarajevës”, siç njihet çmimi kryesor i kësaj ngjarjeje, edicioni i 26-të i së cilës mbahet prej 14 deri më 21 gusht. Pikërisht aty, “Galaktika...” do të jepet premierë botërore. Është debutimi i Raçës në film të metrazhit të gjatë.

Qendra Kinematografike e Kosovës së bashku me Ministrinë e Kulturës këtë arritje e kanë konsideruar si një lajm tejet të rëndësishëm.

e dyshes kosovare janë përzgjedhur të jenë në konkurrencë bashkë me gjashtë të tjerë. Përzgjedhjen e ka bërë skenaristja e njohur boshnjake Elma Tataragiq, selektore e programit të filmave të gjatë artistikë. Aty janë tri premiera botërore, një evropiane dhe tri të tjera rajonale. I tillë është “Exili” i Morinës, bashkëprodhim midis Gjermanisë, Belgjikës e Kosovës.

Sipas të dhënave që Festivali i ka publikuar të enjten, në edicionin e sivjetmë janë 49 filma që synojnë çmime në katër kategori. Prej tyre 29 janë premiera botërore, 6 ndërkombëtare, 2 evropiane, 11 rajonale e një vendore.

Me dy filmat, Kosova shënon rikthim në Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë pas 6 vjetësh. Më 2014 atje ishte dhënë premiera botërore e filmit “Tri dritare dhe një varje”, nën regji të Isa Qosjes.

Regjisorja More Raça tashmë ka bërë emër edhe në festivale të kategorisë “A” përmes filmave të shkurtër. Ajo ka thënë se lajmi që filmi i saj debutues i metrazhit të gjatë është pjesë e garës në Sarajevë, është një konfirmim për vlerat artistike të këtij projekti kinematografik.

Ka treguar se “Galaktika e Andromedës” flet për Shpëtimin (Sunaj Raça) një baba 50-vjeçar, i papunë, i cili sfidë jetësore e ka punësimin. E streha për vajzën e tij të vetme, Zanën (Elda Jashari) është sfida që do t’i kompletonte synimet e këtij personazhi. Realizimi i filmi 80-minutësh ekipit i ka marrë kohë një vit e gjysmë.

“Premiera botërore në Festivalin prestigjioz të Sarajevës në konkurrencën kryesore ku pranohen vetëm filma me vlera të larta artistike dhe hyrja në këtë mes, është një konfirmim për vlerën e filmit ‘Galaktika e Andromedës’”, ka thënë Raça, e cila ka shkruar edhe skenarin e filmit, financues kryesor i të cilit është Kosova.

“Exili” i Visar Morinës, i cili po ashtu është nënshkruar edhe si skenarist, në ekranin e madh të Sarajevës, vjen pas një nisjeje të suksesshme. Premierën botërore e pati në “Sundance Film Festival”, që nisi më 23 janar e përfundoi më 2 shkurt në ShBA. Më pas ky film ka pasur premierën evropiane në festivalin e filmit në Berlin, “Berlinale”. “Exil” shpalos historinë e Xhaferit, një 45-vjeçar nga Kosova, i cili jeton për një kohë të gjatë në Gjermani dhe kalon nëpër një krizë identiteti.