Kulturë

“Shtëpia e Sporteve” pa mural, me leje të institucioneve lokale e qendrore

Për institucionet komunale e qendrore, murali i cili për 14 vjet zuri vend në murin e “Shtëpisë së Sporteve” del të mos ketë paraqitur kurrfarë vlere. Në vendimin për lejimin e zhvillimit të punimeve të lëshuar nga Komuna e Prishtinës me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, ai duket sikur nuk ka ekzistuar kurrë, ani pse ka qenë aty qysh prej vitit 2006. Nuk përmendet fare në dokumentin trefaqësh, të cilin MKRS-ja ia ka dërguar të mërkurën KOHËS, si kompletim në pyetjet e një dite më parë. Prej të martës veprës së realizuar nga artistët Fitore Berisha e Mehmet Dedinja nuk i ka mbetur asnjë gjurmë, me fasadimin e objektit që dikur ka qenë i “Sllovenia Sportit”, ende një pikë referuese në Prishtinë, në kryqëzimin e rrugëve “Agim Ramadani” dhe “Rrustem Statovci”. Në “Shtëpinë e Sportit” – ku është i vendosur Komiteti Olimpik i Kosovës, shumica e federatave sportive, si dhe Departamenti i Sportit i Ministrisë së Kulturës – po kryhen punime në kuadër të Projektit për Efiçiencë të Energjisë dhe Burime të Ripërtërishme të Energjisë në Kosovë. Është investim i Bankës Botërore në vlerë mbi 98 mijë euro. Ministria e Zhvillimit Ekonomik është bartëse e projektit.

Edhe një ditë pas reagimit të autorëve e komunitetit artistik nuk duket se ka kthim prapa të institucioneve për ta rizbuluar muralin siç ndodhi në shkurtin e vitit 2018. Asokohe ishin pikërisht autoritetet komunale që kërkuan dhe konkretizuan heqjen e reklamës që e mbuloi veprën me imazhin e sportistit në vrap dhe me dy duart që simbolizojnë dorëzimin e stafetës, sipër tij.

Në vendimin e lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit të Komunës së Prishtinës më 13 qershor, kur vjen te pika e “Fasadës së jashtme”, lejohet “largimi, heqja e ndonjë suvaje të plasaritur dhe të lirshme (pa ngjitur) nga muret e fasadës në tërë sipërfaqen e ndërtesës”, sikurse edhe “pastrimi i mureve të fasadës me makinë larëse me presion të ujit”.

Image