Kulturë

Instituti Arkeologjik i bllokuar, lokalitetet rrezikohen nga mosintervenimi

Instituti Arkeologjik i bllokuar, lokalitetet rrezikohen nga mosintervenimi
Nevoja për ndërhyrje në lokalitete arkeologjike, sidomos në Kalanë e Harilaqit, është e madhe. Por ende nuk ka ndonjë afat se kur arkeologët mund të nisin punën në terren

Lehtësimi i masave të marra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe kthimi në punë i punonjësve të sektorit publik e atij privat nuk kanë pasur kurrfarë ndikimi në projektet e Institutit Arkeologjik të Kosovës. Puna në terren për arkeologët nuk ka nisur ende. Madje nuk ka një afat se kur do të mund t’iu kthehen lokaliteteve arkeologjike.

Problemet që e kanë përcjellë IAK-në gjatë dy vjetëve të kaluar sivjet janë “trashur”. Nuk mund të zhvillojnë veprimtari as në kohën kur kushtet klimatike janë më adekuatet për punë në lokalitete arkeologjike. Ulpiana, Dresniku, Vuçaku, pastaj lokaliteti i Dardanës, Artanës, Harilaqit, Marecit, Barilevës, Vendenisit ose Gllamnikut planifikohej që të mbusheshin me punonjës lokalë e profesionalë. Pos atyre që njihen si investime kapitale, IAK-ja për sivjet ka planifikuar edhe hulumtime në mbetjet e kështjellave të Bizantit të hershëm. Për pasojë, lokalitetet arkeologjike ku është punuar viteve të kaluara edhe mund të pësojnë. Problem dalin të jenë vonesat e pagesave për punonjësit e angazhuar e edhe për materialet që blihen.