Kulturë

MKRS-ja njofton se disa zyrtarë të saj janë me COVID-19

Descriptive Text

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se disa zyrtarë të ministrisë janë të prekur me COVID-19, por se janë mirë me shëndet dhe janë në vetëizolim.

MKRS-ja ka thënë se po respekton dhe zbaton masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19 dhe se po punohet me staf esencial, në përputhje me vendimin.

“Duam të njoftojmë qytetarët se objekti i MKRS-së dhe të institucioneve vartëse të ministrisë në Prishtinë dhe në qendrat tjera të Kosovës, të gjitha po i respektojnë masat mbrojtëse duke i dezinfektuar hapësirat dhe duke vënë në çdo hyrje dezinfektues për palët e jashtme. Të gjitha palët e jashtme të cilat kanë raporte, punë apo obligime me MKRS-në inkurajohen që ato t’i kryejnë në distancë (online) nëse është e mundshme ose nëse është patjetër që të vijnë fizikisht, obligohen që të kenë masat e parapara mbrojtëse (maskat, distancën), në të kundërtën nuk do të lejohen të hyjnë në objektet e ministrisë dhe nuk do të marrin shërbim. Përmes këtij njoftimi gjithashtu duam të informojmë qytetarët se disa zyrtarë të ministrisë janë të prekur me COVID-19, por të gjithë janë mirë me shëndet dhe në izolim, duke respektuar në përpikëri masat dhe sugjerimet e institucioneve shëndetësore. MKRS-ja është në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera shëndetësore për hapat e mëtejmë që duhen ndërmarrë. I sigurojmë të gjithë qytetarët që situata është tërësisht nën kontroll dhe i bëjmë thirrje palëve që në çfarëdo mënyre kanë kontakte me MKRS-në të respektojnë masat mbrojtëse dhe të kenë mirëkuptimin për shërbimet eventuale nëse ato janë me vonesë”, thuhet në komunikatë të MKRS-së.