Pesë mijë veta që dëshirojnë të njihen me historinë e qytetit të Krujës, por edhe një prej organizimeve më të suksesshme në historinë e shqiptarëve, atë të kohës së Skënderbeut, mund ta bëjnë këtë duke mos paguar bileta.
Ministria e Turizmit dhe Bashkia e Krujës kanë nënshkruar marrëveshjen nëpërmjet së cilës operatorëve turistikë u jepen pesë mijë bileta me të cilat turistët që zgjedhin Krujën si destinacion turistik do të vizitojnë pa pagesë muzetë e qytetit.
Krejt kjo është në kuadër të fushatës për nxitje të turizmit në trashëgiminë kulturore, transmeton KOHA.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, të martën ka thënë se është koha që të ndihmohen vizitorët dhe institucionet në mënyrë që të njihet më shumë trashëgimia kulturore.
“Me gjeste të vogla i vijmë në ndihmë njeri-tjetrit, për të tejkaluar krizën e shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 e më tej nga pandemia COVID-19. E tillë ishte edhe kjo marrëveshje me Bashkinë e Krujës, së cilës i dhuruam 5 mijë bileta me vlerën zero, për të vizituar muzetë e qytetit. Bashkia do t’ua shpërndajë ato bizneseve që lidhen me turizmin, që t’ia dhurojnë çdo turisti që vjen në Krujë”, ka thënë Margariti.
Sipas saj, kësisoj krijohet mundësia që këtë vit të vizitohen më shumë muzetë dhe lokalitet arkeologjike në vend.
Paraprakisht në fund të muajit të kaluar në emër të promovimit të turizmit kulturor Shqipëria kishte vendosur që të ofronte pesë mijë bileta falas për ata që duan të vizitojnë dy prej institucioneve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Durrës.