Kulturë

Rrugëtimi i kitaristit virtuoz deri te impresionimi i maestros Steve Vai

Descriptive Text

Si në një përrallë, ca para të gjetura në tokë do të bëheshin prologu i diçkaje papërfytyrueshëm të bukur. Priti e priti që pronari i panjohur të vinte t’i kërkonte, por ai s’do të vinte asnjëherë. Duke evokuar një histori që përhumbet në vitet e fëmijërisë, kitaristi Valon Gashi përpiqet të ripërjetojë çastet e asaj që do të bëhej bashkështegtarja e tij e pandarë për gjithë jetën.

“Ato para i mori vëllai im i madh dhe më pyeti nëse e dija çfarë do të blinte me to”, tregon pa përmbajtur të qeshurën Valon Gashi, shkruan KOHA.

Në vend të ëmbëlsirave për të cilat ëndërron secili fëmijë, vëllai i solli një kitarë. Por gëzimi papritmas u kthye në një ngrysje për shkak se instrumenti i sapoblerë ngjante aq i huaj për të. Megjithatë, koha do t’i vinte të gjitha gjërat në rendin e tyre. Durimi do të kthehej në pasion e pasioni do të nxirrte në pah një mjeshtëri të madhe që shumë vjet më vonë do të shkëlqente para publikut me qindra mijëra veta.

“Vëllai im i madh ishte shtytësi dhe kritiku i pamëshirshëm në rrugëtimin tim muzikor dhe ia di shumë për nder”, thotë Valoni.

Si historia e çdo pasioni tjetër të madh, edhe kitara do ta merrte “peng” me magjinë e saj të kurrëmbarimtë.

Dekada më vonë me një përvojë mijërangjyrëshe pas vete, kitara do ta pikëtakonte edhe me idhullin e tij të fëmjërisë – Steve Vain e madh. 18 qershori qëlloi të ishte dita kur Valoni do të lidhej drejtpërdrejt me kitaristin, kompozitorin e producentin e shquar amerikan. Me fituesin e trefishtë të “Grammy Award”, ai do të interpretonte disa pjesë. Emocionet ishin të tilla, gati shtanguese teksa kitaristi amerikan i shfaqej aq i përkorë e miqësor nga ekrani.