Kulturë

“Sakati nga Inishmani” për mosdorëzimin përballë kufizimeve

Të jetuarit në ishull, në izolim prej botës, është fati kolektiv. Jeta midis tyre është përplasje. Përplasjet janë shkaku i tjetërsimit të tyre e kjo ua mbyll sytë edhe ndaj vlerave njerëzore. Kryepersonazhi është djaloshi me nevoja të veçanta, i cili pos me gjendjen e tij përballet edhe me të zvetënuarit që e rrethojnë. Për ta bëhet shembull i njeriut që s’heq dorë prej ëndrrave, tek synon edhe Hollywoodin. Në tërësi shfaqja “Sakati nga Inishmani” – premiera e parë për sivjet e teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës – është thirrje për barazi

Pothuajse gjithçka zhvillohet në ishull. Bëhet fjalë për jetën në “Inishman”, mesin e ishujve Aran në Gjirin Galway, në brigjet perëndimore të Irlandës. Është një vend jo shumë i banuar. Kjo manifestohet shpesh edhe gjatë shfaqjes. Banorët e njohin mirë njëri-tjetrin, ua dinë të fshehtat shoqi-shoqit dhe si pasojë ato janë edhe subjekt i bisedave të tyre. “Sakati nga Inishmani”, që shënoi premierën e parë për këtë vit në teatrin e qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu”, u dha të mërkurën mbrëma premierë para një numri të kufizuar të pjesëmarrësve, duke respektuar distancën fizike për parandalimin e pandemisë së koronavirusit. Ani pse s’ka vendim për hapjen e teatrove njashtu sikurse edhe të kinemave, rreth 100 veta, ulur me karrige bosh në mes, kanë qenë publiku i kësaj shfaqjeje, raporton KOHA

Ekipi i “Sakatit....” kishte nisur provat qysh në mars, për të vazhduar me prova online gjatë kohës së izolimit. Skenës i janë kthyer tek në fillim të qershorit, derisa disa nga provat i kanë mbajtur edhe në ambient të hapur. Alban Goranci në rolin e Billy Claven është në qendër të shfaqjes. Të gjitha pikëpyetjet janë të drejtuara rreth fatit të tij. Për të shpesh edhe vajtohet. I drejtohen si “Bill Sakati” e gjatë shfaqjes ia kujtojnë shpesh se trupi i tij është i palëvizshëm.

Regjisori Shkelzen Berisha është përpjekur që t’i qëndrojë besnik gjuhës direkte të autorit irlandez Martin Faranan McDonagh, i cili vlerësohet si autor modern që shpërfaq realitetin e provincave. Berisha, i cili ka përkthyer veprën që ka inskenuar sikurse edhe drama të tjera të McDonagh, e ka pasur më të lehtë edhe ta sjellë në skenë tekstin e tij.

“Sakati nga Inishmani” kufizohet në jetën e një vendi të izoluar, ndërsa ngjarja zhvillohet në vitin 1934. Banorët nuk i kursejnë ofendimet ndaj njëri – tjetrit.