Në fund të viteve ‘90, në Kosovë ishte krijuar një situatë e rëndë për të gjithë. Por pavarësisht rrethanave, ata u bënë bashkë për ta realizuar projektin muzikor “Dëshira për jetë”, në të cilën dëshmohet përpjekja për ta zhvilluar atë kohë skenën e rep hip-hopit në Kosovë.
Në dhjetorin e njëzet e dy vjetëve më parë, KLC, i njohur ndryshe si klani i reperëve shqiptarë, kishte promovuar këtë video në kohën e represionit nga forcat serbe.
Disa prej tyre me nostalgji rrëfejnë ballafaqimet me shumë rreziqe, për ta finalizuar këtë këngë, që ka për temë jetën e të rinjve si pasojë e dhunës, raporton KOHA.
Protagonistët e këtij projekti muzikor kujtojnë barrierat dhe improvizimet e finalizimit të këtij spoti.
Por ata tregojnë edhe se si kanë tentuar për t’u ribashkuar për ta kremtuar dekadën e dytë të pranisë së tyre në rep-skenën shqiptare.
Ky projekt muzikor përpos që ishte transmetuar atë kohë në televizionin shqiptar, kishte marrë vëmendje edhe në televizionin muzikor VIVA, e që ishte diskutuar se si në gjendje lufte në Kosovë, disa të rinj bënin muzikë hip-hop.
“Dëshira për jetë” konsiderohet të jetë një nga gjurmët e zhvillimit të rep- skenës në Kosovë.