Kulturë

“Kafet e rakisë” vishen me nuanca arti si shenjë shprese

“Kafet e rakisë” vishen me nuanca arti si shenjë shprese
Për tri ditë lokalet në rrugën “2 Korriku”, që njihet edhe si “Te kafet e rakisë”, janë hapësira ekspozuese në kuadër të iniciativës “Ngujimi COVID-19” për të sjellë në këtë pjesë të kryeqytetit art, poezi, muzikë dhe performanca

Një dezinfektues është vendosur në hyrje të lokalit “DECK Prishtina”. Kështu mendohet që të ruhet pastërtia dhe të parandalohet përhapja e COVID-19. Në muret e tij të veshura me dërrasa druri qëndrojnë të ekspozuara disa piktura. Lokali nuk është menduar që të shërbejë si hapësirë ekspozuese, ani pse të dielën është kthyer në diçka të tillë. Këtë rol do ta ketë për tri ditë, pasi që lokalet në rrugën “2 Korriku”, që njihet edhe si “Të kafet e rakisë” i janë bashkuar iniciativës “Ngujimi COVID-19” për të sjellë në këtë pjesë të kryeqytetit art, poezi, muzikë dhe performanca. Nga organizatorët, aktivitetet janë konsideruar si “një intervenim i lehtë artistik”. Synimi është që arti të përfshihet në kulturën e kafesë, por edhe që të ndihmohen artistët. Në anën tjetër kthimi i gjallërisë në kryeqytet, ani pse me aktivitete të zbehta dhe me përfshirje më të vogël, po shihet si shenjë shprese.

Ideja për diçka të tillë ka nisur nga një grup në “Facebook”, hapur nga artisti Veton Gusia, që ka më shumë se 500 anëtarë, kryesisht artistë e njohës të kësaj fushe.