Kulturë

Vepra e Beethovenit në kohët e vështira

Ludwig van Beethoven e donte natyrën dhe e shprehte pasionin e tij për mjediset e mëdha në shumë prej veprave të tij. Mbase shembulli më i spikatur është “Simfonia e tij e gjashtë”, ose “Pastoral”, që u luajt të premten e 5 qershorit nga Orkestra e Beethovenit në Bonn për të kremtuar Ditën Botërore të Mjedisit sipas Kombeve të Bashkuara.

I mbajtur në një vit kremtimesh për 250-vjetorin e lindjes së kompozitorit, koncerti është pjesë e Projektit “Pastoral”, që i nxit artistët gjithandej botës për të bërë një deklaratë për mbrojtjen e klimës në frymën e “Simfonisë së gjashtë” të Beethovenit. Koncepti nistor ka përfshirë koncerte në Gjermani dhe jashtë saj.

Megjithatë, pandemia e koronavirusit e ka frenuar zhurmshëm këtë plan. Në vend të kësaj, Projekti “Pastoral” tani është një ngjarje digjitale, e qendërzuar përreth një transmetimi të drejtpërdrejtë.

Muzikantët ribashkohen në një vend historik

Megjithëse 100 muzikantë janë pjesë e Orkestrës Beethoven, sipas rregullave të tashme të dinstancimit social, vetëm 13 mund të luajnë bashkë për koncert. Për ata që performojnë, të jenë në gjendje të mblidhen e të luajnë muzikë pas një zbrazëtie dymujore ishte një kënaqësi, ani pse nuk qe e lehtë të vendoset se kush do të performojë. Në disa raste, ata i referoheshin një sistemi lotarie për të zgjedhur se kush do të luajë. “Ne do të donim që të luanim të gjithë bashkërisht”, thotë violinisti Mugurel Markos, që luan me violinë.

“Është vërtet bukur të luaj sërish me kolegët e mi. Pavarësisht të gjitha kanaleve të komunikimit digjital që i kemi përdorur me diligjencë, më ka munguar kontakti i drejtpërdrejtë”, pranon Gillian Williams, që është tubiste e ansamblit. “Është e jashtëzakonshme të jesh në këtë vend që ishte gjithçka për muzikën dhe Beethovenin”, shton ajo.

Orkestra ka ushtruar në hollin e gjerë të Redoutes, një dhomë balloje ku dikur luante Beethoveni. Ishte ky vend ku asokohe muzikanti 21-vjeçar Beethoven, i njohur si “Louis” nga miqtë e tij, luajti për Joseph Haydnin më 1792. Muzikanti në moshë ishte mahnitur aq shumë sa e kishte ftuar Beethovenin të vinte në Vjenë e të bëhej student i tij.

Muzikëbërja kreative

Megjithatë kohërat e koronavirusit kërkojnë masa të ndryshme, dhe ushtrimet nuk ishin si zakonisht. Shtatë anëtarët frymorë ishin vendosur jashtë hapësirës kryesore të ushtrimeve dhe duhej të shikonin në ekran dirigjentin – kishte frikë se sasia e pështymës që fluturon në ajër çdoherë kur luhet do të krijonte një kërcënim për shëndetin.

“Është një sprovë teknike për këdo, veçmas për ne që luajmë me frymorë të mos shohim në sallë kolegët tanë me vegla me tela dhe dirigjentin“, ka thënë solo-flautistja Günter Valeri. “Ne duhej të zhvillonim diçka si njëfarë telepatie për të bërë muzikë bashkërisht. Por kjo është mënyra si është. Është një kohë dhe projekt i veçantë që me gjasë s’do të bëhet më kurrë si tash”.

Për dirigjentin Dirk Kaftan, puna në këtë vepër kishte një varg vështirësish që shkonin përtej rregullave të distancimit social.