Kulturë

“Posterët e së kaluarës!” për një kapitull të “Jusuf Gërvallës”

“Posterët e së kaluarës!” për një kapitull të “Jusuf Gërvallës”
Njëzet posterë filmash kanë zënë vend në kinemanë që dikur i kishte në repertor. Përmes ekspozitës virtuale, kinemaja “Jusuf Gërvalla” synon ta dërgojë publikun në një udhëtim nëpër të kaluarën. Posterët e përzgjedhur janë vetëm disa nga shumë sosh që i kanë mbijetuar kohës e të cilët janë arkivuar përgjatë muajve të fundit

Kinemaja “Jusuf Gërvalla” në Pejë ka hapur të hënën virtualisht dyert e saj. Përmes turit virtual “Posterët e së kaluarës!” ofron një udhëtim nëpër historinë 65-vjeçare të kinemasë së parë dhe të vetme në Pejë. Këtë e bën nëpërmjet posterëve të filmave që ndezën projektorët në të kaluarën.

Një kujtim nostalgjik për ata që kanë pritur në radhë për të parë filmat, posterët shumëngjyrësh të të cilëve bëhen tok në ekspozitë. “Ju ftojmë po ashtu që të riktheni në kujtesën tuaj dhe të më të dashurve tuaj, por edhe brezave të rinj, atë që është pjesë e një historie të tërë, identitetin tonë unik e të përbashkët kulturor”, është shkruar në njoftimin e kinemasë për këtë turne virtual që është realizuar me teknologjinë 360 shkallë.