Kulturë

Rrënimi i objektit teatror në Tiranë - akt kundër civilizimit

Rrënimi i objektit teatror në Tiranë - akt kundër civilizimit

Për arkitektin Arbër Sadiki, për të kuptuar historinë e një qyteti nuk është e domosdoshme që të lexosh një libër. Ai beson se mjafton që njerëzit të shëtitin nëpër të njëjtin, pasi që për të objektet që shfaqen si peizazhe nëpër rrugica a në qendër tregojnë shpirtin, ngjarjet apo edhe historinë e qytetit. “Refuzoj që ta pranoj arkitekturën vetëm si një ndërtesë. Arkitektura është konstruksioni i një ndërtese së bashku me ngjarjet që ndodhin në të. Në momentin që e largon njërën, tjetra varfërohet skajshmërish dhe nuk e ka më funksionin që e ka pasur”, ka thënë ai në një diskutim virtual të organizuar të dielën nga kinemaja “Jusuf Gërvalla”. Kështu është munduar që të tregojë së shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë nuk është dashur që të ndodhë.

“Një skenë fantazmë”, kështu i është referuar ai momentit të rrënimit të objektit të Teatrit të dielën e 17 majit, kur buldozerët rrafshuan objektin 80-vjeçar, e bashkë me të edhe një pjesë të historisë së Luftës së Dytë Botërore, të urbanizmit të kryeqytetit, disa gjyqeve të regjimit të pasluftës e së paku 75 vjetëve të institucionit më të lartë teatror në Shqipëri. Sipas Sadikit, kushdo që di të lexojë qytetin përmes simboleve, e kupton që shembja e objekteve të tilla është zhdukje të kaluarës së popullit.