Kulturë

Monotonia: Dëshira të kesh dëshira

Mbi monotoninë dhe dhelprat: tre libra në kohën e pandemisë

1.

Afërsisht nga fillimi i marsit, në Evropë ka filluar periudha e acarimit të nervave. Aterron, për shembull, në javën e parë të muajit të tretë të vitit 2020 në kryeqytetin e një shteti ballkanik dhe pas dy ditësh të përplaset para syve mesazhi se fluturimi për kthim në një metropol evropiano-perëndimor është anuluar për shkak të koronës. Sakaq të kaplon një ndjenjë e përzier shqetësimi, dufi, mërie, zemërimi, mllefi.

Gjuha shqipe ka shumë fjalë për të përshkruar disponimin e keq. Në të vërtetë, tërë disponimi i keq mund të përmblidhet me një fjalë: monotoni, diçka e njëtrajtshme. Që nga përhapja masive e virusit të koronës, njerëzit kanë bërë një përvojë të re: monotoninë. Tërheqje në shtëpi, punë nga shtëpia, shmangie të njerëzve, rrallim të shkuarjeve në dyqan për të blerë birrë apo jogurt. Jeta sociale është paralizuar, sidomos për ata që janë pak më të kujdesshëm dhe ende frikësohen se mund të infektohen. Dhe kjo nuk është frikë joreale, virusi është ende mes nesh.

Shkencëtarët James Danckert dhe John D. Eastwood kanë shkruar një libër mbi fenomenin e monotonisë (“Out of My Skull. The Psy­cho­lo­gy of Bo­re­dom“). Libri vjen në kohën e duhur. Do të botohet në fillim të qershorit në anglisht, më vonë edhe në gjermanisht, me gjasë edhe në gjuhë të tjera.

Njëri nga autorët, John D. Eastwood, ka folur për “Süddeutsche Zeitung” mbi atë se si e definon ai monotoninë. Sipas tij, dy gjëra ndodhin kur biem pre e monotonisë. E para mund të shpjegohet me “Ana Kareninën” e Tolstoit, ku thuhet: “Monotonia: Dëshira të kesh dëshira”. Pra, një person i rënë në monotoni dëshiron diçka, por nuk ia arrin ta dojë atë që është e kapshme në atë çast. Gjëja e dytë, vazhdon Eastwood, është mendja e pafutur në funksion. Kur dikush vuan nga monotonia, atëherë kapacitetet mentale të tij janë të pasfiduara. “Në thelb monotonia është kriza e veprimit”, thotë Eastwood. Monotonia ka shanse kur njeriu ka përshtypjen se të gjitha mundësitë që i ka të hapura nuk kanë vlerë. Kjo është mungesa e dëshirës. Nuk dëshiron të bësh diçka, sepse s’ka vlerë.

Një fenomen tipik i monotonisë është apetiti i madh. Kush s’ka çfarë të bëjë, kush është i mbyllur brenda mureve të shtëpisë, detyrimisht shndërrohet në kapës të dorëzës së frigoriferit. Me vite të tëra ai ka qenë i mbushur mirë e mirë me djathë e qumësht, perime e artikuj të tjerë. Tani: zbrazëti e pafund. Ndonëse në furnizimin e frigoriferit nuk ka ndryshuar gati asgjë.

John D. Eastwood thotë se kur njerëzit përballen me monotoni, ata sillen në mënyrë armiqësore ndaj kulturave të tjera: “Këtë e konsideroj shqetësuese. Kur njerëzit thonë se ndiejnë monotoni dhe kanë ndjenjën se po e humbin kontrollin mbi jetën e tyre, atëherë përpiqen të tregojnë rëndësinë e tyre duke u sjellë me armiqësi ndaj të tjerëve”.

Pasojë e monotonisë është bredhja pa cak nëpër internet. Faqe pas faqes. Shkrim pas shkrimi. “Kur shëtit shumë nëpër internet, mund të të bien ndërmend ide komike. Mund të zihesh me njerëz që nuk i ke parë kurrë. Mund të shikosh se sa bukur është në ishujt Lofoten ose të porositësh klonimin e qenit tënd të racës labrador”, shkruan “Süddeutsche Zeitung” në një tekst tjetër. Kjo është monotoni.

2.

Monotonia mund të jetë edhe kreative. Për shembull të shtyn të lexosh edhe më shumë gazeta. Dhe kështu të hasësh edhe në tekste që në epokën para-koroniane do t’i injoroje, mbase. Në kohë pandemie, gazeta është më shumë se gazetë. Është artefakt, aset, pronë publike, burim inspirimi, mësimi dhe argëtimi. Para disa ditësh, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” prezantoi dy libra. Të dy librat i kushtohen dhelprës. Njërin libër e ka shkruar ekologia britanike Adele Brand, tjetrin gazetarja gjermane Katrin Schumacher (libri i saj është më shumë album).

Çka dimë për dhelprën? Thuhet se është dinake. Fjalori i gjuhës shqipe na e prezanton dhelprën kështu: “Ç’do dhelpra në pazar? (E kërkon vetë të keqen, shkon si cjapi te kasapi). S’ia ha pulat dhelpra dikujt. E zë dhelprën (lepurin) me qerre dikush. Kur s’ke pula, pse hahesh me dhelprat? Moj dhelpër, moj ankojë, shumë armiq zure me gojë!”

Nga recensioni i gazetës gjermane mësojmë se dhelpra luan një rol të rëndësishëm në historinë e civilizimit. Ezopi e ka bërë figurë kryesore në disa fabula të tij, Peter Paul Rubensi e ka pikturuar dhe bërë të pavdekshme, Machiavelli ka shkruar se, krahas luanit, çdo princ duhet ta ketë idhull dhelprën, te “Princi i vogël” i Antoine de Saint-Exupérys dhelpra është një shoqe dashamirëse.

Vulpes vulpes, kështu quhet në latinisht dhelpra e kuqe. Ajo është një kafshë kozmopolite. Më shumë se 80 vende i quan atdhe. I përket familjes së qenve, por lëviz me elegancën e maceve. Ha minj dhe manaferra. Në qytete i pëlqen të hallakat kontejnerët e bërllokut. Supozohet se para 9 milionë vjetëve dhelpra ka nisur të ecë në Amerikën Veriore. Pastaj ka marrë botën në sy. Monotoni? Jo aq.