Dy faqe e gjysmë tekst kanë mjaftuar për t’i përmbledhur angazhimet dhe aktivitetet e Ministrisë së Kulturës dhe Sportit për mandatin e vet katërmujor. Këto janë përfshirë brenda raportit “100 Ditë Qeverisje e Mirë” të publikuar të premten nga Zyra për Komunikim Publik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Në këtë raport, i cili përfshin punën gjatë periudhës 4 shkurt – 6 maj 2020, janë përfshirë ato që Qeveria i ka konsideruar si të arriturat kryesore sipas sektorëve të paraparë me Programin e Qeverisë. Në pjesën kushtuar kulturës dhe sportit, MKRS i ka përshkruar angazhimet e saj në disa paragrafë për “artin dhe kulturën”, “librin dhe veprimtarinë botuese”, “përmirësimin e infrastrukturës kulturore”, “mbështetjen financiare për kulturën” si dhe “mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore”.
Në pjesën e parë është përmendur se gjatë situatës së krijuar me pandeminë, institucionet kulturore kanë vazhduar aktivitetet e tyre në platforma digjitale dhe virtuale. Sipas Ministrisë, “Teatri Kombëtar i Kosovës i ka transmetuar rreth 30 shfaqje përmes rrjeteve sociale të Teatrit, me moton ‘Teatri në shtëpi’”.
Por, në fakt, këto shfaqje kishin qenë nismë e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe atij të Gjilanit, të cilëve më pas u ishin bashkuar dhe tri teatro të qyteteve dhe tri të tjera të pavarura. Sipas drejtori të teatrit “ODA”, Florent Mehmeti, kalendari i përbashkët i teatrove nuk është ndonjë punë kolosale. Në një prononcim për KOHËN, ai ka shpjeguar se si teatrot kishin marrë nismën për të koncentruar energjitë e tyre në një vend.
“Kjo ishte e gjithë ideja e bashkërendimit për kalendarin e përbashkët”, ka thënë Mehmeti.
E gjithë kjo periudhë, ka vijuar ai, është tepër e shkurtër për të dhënë gjykime për mandatin tepër të shkurtër të Ministrisë së Kulturës. Te pjesa për librin dhe veprimtarinë botuese, Ministria e Kulturës ka përfshirë edhe aktivitete të përvitshme si ndarja e çmimeve vjetore të letërsisë dhe mbyllja e thirrjes publike për përkrahjen e botimit të librit, blerjes së librit dhe botimit të revistave letrare.
Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka thënë për gazetën se përfaqësuesi i tyre nuk është ftuar ende në takimet e Këshillit të Librit. Sipas tij, ende nuk kanë filluar takimet e Këshillit të Librit, gjatë të cilave bëhet përzgjedhja dhe shpallja e përfituesve të thirrjeve publike të ndihmës në botim dhe blerje të librave.
“Në rastin më të mirë të mundshëm, para shtatorit nuk do të ketë asnjë ndihmë për botuesit. E nëse vazhdon avazi i vjetër, botuesit do të pranonin mjetet tek vitin e ardhshëm”, ka thënë Zeneli.