Kulturë

Budina: Me shembjen e Teatrit ra demokracia, liria është pjesëmarrje

 Edmond Budina: “Duke shembur Teatrin ata varrosën kostumet e rekuizitat nën rrënoja. Një akt i tillë barbar nuk ka ndodhur në botën moderne... Në këtë rast ka rënë demokracia”

Sheshet mund të llogariten si një lloj shtëpie e tij. U takon sheshxhirimeve shkaku i profesionit. Qëndroi gjatë në atë që tash në Tiranë është sheshi “Demokracia”, kur u bë tok me ata që përmbysën regjimin për t’i hapur perspektivë vendit. E për më shumë se një vit qëndroi te sheshi i Teatrit Kombëtar për të mbrojtur ndërtesën nga rrënimi.

Sa u përket sheshxhirimeve, çmimet që ka marrë e kritika flasin për një betejë të fituar. Pas protestave të dhjetorit 1990, Shqipëria u hap. Por qëndrimi në shesh për betejën e tretë duket se Edmond Budinës do t’i zgjasë më shumë.

Janë bërë 13 muaj, prej kur ai u është bashkuar kolegëve aktorë e regjisorë, që së bashku me disa qytetarë çdo ditë kanë qëndruar para e brenda Teatrit për të pamundësuar rrënimin e tij. Kur në mëngjesin e hershëm të së dielës së kaluar, ende pa zbardhur dita, të shoqëruar edhe nga një numër i madh policësh buldozerët rrënuan objektin teatror, Budina qëlloi në shtëpi, raporton KOHA.

“Këtë e kam peng. Pasi para se të ndodhte shkova në shtëpi, sepse menduam se u bë vonë e nuk do të ketë sulm. Disa kolegë qëndruan”, rrëfen ai. Por me gjithë rrethanat e reja, ku Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk ia doli ta ndalonte shembjen e objektit 80-vjeçar, tash kërkon ndërtimin e të riut fiks ashtu siç ishte i vjetri. Budina prapë është në ballë të betejës.

“S’lejojmë që mafia e ndërtimit të shembë kulturën kombëtare”

Prej së dielës, atij i ka ndërruar rutina. Budina (68), përderisa më herët kohën më të madhe e kalonte në Teatër, tash nga mëngjesi në mbrëmje qëndron në Bulevardin kryesor të Tiranës. Në protestë.

“Gjendja është shumë e tensionuar. I ka kaluar kufijtë e Shqipërisë”, thotë ai. Barbar, është përkufizimi i parë që ia jep veprimit të shembjes së objektit teatror.

“Ai veprim ka krijuar tension edhe në Evropë”, thotë ai derisa aludon në raportimet e gazetave më prestigjioze të Kontinentit të Vjetër. Kujton se historia e idesë për rrënimin e ndërtesës ishte shumë e paqartë, kur edhe nisi të qarkullojë më 2018...